Prej kohësh situata e vështirë në klubin e futbollit Vllaznia është kthyer në një çështje diskutimi.

Në fakt në bazë të statutit kur është themeluar shoqëria aksionare e Vllaznisë gjithçka është e përcaktuar në bazë të ligjit për shoqëritë tregtare dhe aksionare. Neni 13 në statut përcakton të drejtat e asamblesë së përgjithshme që në këtë rast është këshilli i bashkisë Shkodër i cili ka për detyrim jo pak por që nga përcaktimi i politikave tregtare, emërimin ose shkarkimin e bordit drejtues, miratimin e pasqyrave kontabël vjetore apo edhe riorganizimin apo prishjen e shoqërisë. Një tjetër nen i rëndësishëm në statut është neni 26 nga ku përcaktohen përgjegjësitë e bordit drejtues. Disa prej përgjegjësive lidhen me direktivat për administratorin, gjë e cila kohët e fundit nuk është respektuar sepse bordi qëndroi 4 muaj pa u mbledhur. Të rekomandohen vendime të nevojshme për t’u marrë nga asambleja e përgjithshme, pra këshilli bashkiak, gjë e cila sërish nuk ka ndodhur sepse vendimet janë rekomanduar vetëm nga projekt-vendimet e përgatitura nga drejtoritë e bashkisë Shkodër. Bordi ka për detyrë të thërrasë mbledhjen e asamblesë kur është e nevojshme, gjë e cila sërish nuk ka ndodhur asnjëherë. Shumë kush kërkon shkarkimin e drejtuesve por në rastin e administratorit këtë mund ta bëjë vetëm këshilli mbikqyrës dhe askush tjetër. 

VLLAZNIA, SIPAS STATUTIT BORDI DHE ADMINISTRATORI PËRGJEGJËS

Po ashtu ka për detyrë bordi që të vendosë krijimin e bashkëpunimeve afatgjata gjë e cila sërish nuk ka ndodhur. Bordi edhe në rastin kur shoqëria është me humbje si në rastin e Vllaznisë duhet thirrur asamblejsa e përgjithshme pra këshilli bashkiak. Në fakt klubi Vllazia që nga kthimi në sh.a është vetëm me humbje dhe sipas ligjit duhet që të shpallet falimenti, vendim që ende nuk është marrë. Një tjetër nen me rëndësi është neni 32 sipas të cilit bordi dhe administratori kanë disa detyrime të përbashkëta siç është parandalimi në rastet e konfliktit apo interesave personale me ato të shoqërisë. Në këtë pjesë akuzat vijojnë çdo ditë dhe një prej rasteve është ai i sezonit të kaluar kur bordi largoi 12-13 futbollistë të huaj duke deklaruar se është abuzuar e nga ana tjetër nuk pati asnjë vendim për drejtuesit edhe pse u kërkua me forcë në mbledhjet e këshillit bashkiak.