
Vllaznia nuk shkëlqen por fiton 1-0 me Laçin
Vllaznia fiton me Laçin dhe shkon në 9 pikë larg nga laçianët dhe Flamurtari duke iu larguar rrezikut për mbijetesë. Ka mjaftuar një gol i Bakajt përmes një penalltie në pjesën e dytë për t’i dhënë fitoren shkodranëve. Në pjesën e parë Laçi ka dy mundësi të mira teksa arrin të godasë traversën e Vllaznisë ndërsa Mensah humbet një mundësi të artë i vetëm me portierin Selimaj. Kuqeblutë tentojnë por nuk krijojnë raste të pastra. Në fund të pjesës së parë Bakaj rrezikon me një goditje nga lart por është në gatishmëri duke grushtuar topin portieri kundërshtar. Është minuta e 53 kur Vllaznia fiton një penallti pas një pengimi në zonën laçiane të mbrojtësit Pjeshka. E merr përsipër Bakaj dhe tregohet i saktë duke e kthyer në gol. Laçi hidhet në sulm por Vllaznia mbrohet mirë. Një goditje me kokë në minutën e 70 përfundon e Laçit është e rrezikshme por devijohet nga mbrojtja. Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Armando Cungu tha se ende asgjë nuk ka mbaruar përsa i përket mbijetesës.Trajneri i Laçit pavarësisht kësaj humbje ka shpresë për ekipin e tij.Vllaznia në ndeshjen e ardhshme ka një tjetër sfidë direkte teksa do të luaj me Teutën nga ku kërkohet fitorja për të vijuar ecurinë pozitive dhe për të qëndruar sa më të qetë.






