Merkatoja verore e Vllaznisë po zhvillohet kryesisht në kuadrin e emrave, por edhe në këtë fushë mungon lakimi i alternativave për sulmin, një repart problematik për kuqeblutë.

Po flitet për lojtarë të vijës së mbrojtjes, mesfushës, madje këto vijnë me nga tre alternativa për repart, por ajo që bie në sy është mungesa e një afrimi për vijën sulmuese.

Në sezonin e shkuar, Vllaznia vuajti shumë për një sulmues tipik, ose siç njihet ndryshe “lojtari gol”. Ekipi shkodran eksperimentoi shumë gjatë sezonit të shkuar në vijën e parë, sidomos gjatë dy fazave të para, ku loja e sulmit u mbështet te mesfushorët.

Në pjesën e dytë, ardhja e Bakajt dhe rikuperimi i Hebajt bëri që sulmi të njihte edhe lojtarët stabël. Por, fatkeqësisht, të dy këta lojtarë u larguan nga Vllaznia duke lënë sërish ekipin pa një emër konkret për këtë repart.

Të vetmit sulmues të vërtetë që po stërviten aktualisht me grupin nga fillimi i muajit janë të rinjtë, Pusi dhe Mehmetaj. Ndërsa të 20 lojtarët e tjerë janë alternativa për repartet e tjera.

Me sa duket, edhe në emrat e parë të deklaruar si të mundshëm për t’u veshur kuqeblu mungojnë emrat e sulmuesve tipikë. Gjatë ditëve në vijim, drejtuesit e klubit janë të detyruar që të kërkojnë lojtarë për këtë repart.

Por, gjetja e sulmuesve të duhur mbetet shumë problem, sidomos në Kategorinë Superiore, pasi bomberat janë me pikatore.

Artikulli paraprakUJI I PIJSHËM, PRIORITET NË VAUN E DEJËS
Artikulli tjetërBIE NË KONTAKT ME KORRENTIN DUKE PUNUAR, HUMB JETËN 66- VJEÇARI