Vllaznia do të përballet me disa mungesa të rëndësishme në javën e 25-të të Superiores, në transfertën që do të luajë ndaj Bylisit në Ballsh. Në një fazë vendimtare të sezonit, ku çdo pikë ka peshë të madhe për objektivat e skuadrës, kuqeblutë do të zbresin në fushë pa disa prej titullarëve kryesorë. Në këtë sfidë do të mungojë Lirim Kastrati. Futbollisti i krahut të djathtë është i pezulluar dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Martini, duke krijuar një boshllëk të ndjeshëm në fazën sulmuese. 27-vjeçari u ndëshkua me karton në fitoren 2-1 ndaj Elbasanit, duke plotësuar numrin e kartonëve dhe duke u detyruar të pushojë një ndeshje. Kjo mungesë ndjehet edhe më shumë, pasi gjatë këtij viti ai ka qenë ndër lojtarët më në formë dhe më konstantë të ekipit. Problemet nuk mbarojnë me kaq, pasi edhe kapiteni Bekim Balaj dhe zv/kapiteni Erdenis Gurishta do të jenë jashtë për të njëjtën arsye, pezullim për shkak kartonësh. Dy lojtarë që prekin drejtpërdrejt boshtin e skuadrës, duke dobësuar si repartin ofensiv, ashtu edhe prapavijën. Balaj ka qenë një pikë referimi në sulm falë eksperiencës dhe nuhatjes para portës, ndërsa Gurishta ka dhënë siguri në mbrojtje me paraqitjet e tij konstante. Mungesa e tyre, së bashku me atë të Kastratit, e vështirëson ndjeshëm këtë transfertë, ku pritet një ndeshje me intensitet të lartë dhe shumë luftë sportive. Gjithsesi, gjatë këtij sezoni Martini dhe stafi teknik kanë treguar se dinë të menaxhojnë situata të tilla, duke gjetur zgjidhje brenda grupit. Vllaznia ka alternativa në stol dhe elementë që mund të rezultojnë vendimtarë edhe në një sfidë delikate si ajo ndaj Bylisit.

Artikulli paraprakSHKODËR, ZHVILLIMET NGA RENDI NË 24 ORË
Artikulli tjetërDËMTUAN STADIUMIN, SHOQËROHEN TIFOZËT E ELBASANIT