
Vllaznia ka regjistruar një tjetër humbje në fazën përgatitore që po zhvillon në Slloveni. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini u mposht me rezultatin 5-2 nga rumunët e Argeș Pitești, në një sfidë që prodhoi sërish shumë gola. Kuqeblutë e nisën ndeshjen me formacionin: Jukaj, Çelikoviç, Latifi, Gurishta, Bardhi, Ara, Qato, Dros, Murataj, Toma dhe Balaj. Vllaznia kaloi në avantazh në minutën e 21-të, kur pas një goditjeje dënimi të Muratajt, portieri kundërshtar grushtoi topin, ndërsa Klinti Qato përfitoi dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0. Rumunët reaguan shpejt dhe barazuan në minutën e 30-të, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 1-1. Në pjesën e dytë, Martini aktivizoi disa lojtarë të tjerë, por Argeș Pitești shënoi në minutën e 74-t për 2-1.
Vetëm dy minuta më vonë, Ensar Tafili përfitoi nga një gabim i portierit rumun dhe riktheu baraspeshën në 2-2. Megjithatë, fundi i ndeshjes foli i gjithi për kundërshtarët, të cilët realizuan edhe tre gola të tjerë, duke vulosur fitoren 5-2. Kjo ishte humbja e tretë e Vllaznisë në katër miqësore të zhvilluara në Slloveni. Shkodranët u mundën fillimisht 4-0 nga Olimpija Ljubljana, më pas fituan 6-3 ndaj NK Rudes, humbën 4-2 përballë Koperit dhe tani 5-2 ndaj Argeș Pitești. Në total, në katër ndeshje janë shënuar plot 26 gola, me Vllazninë që ka realizuar 10 dhe ka pësuar 16, një tregues se reparti mbrojtës mbetet pika kryesore për t’u përmirësuar para nisjes së sezonit zyrtar.
https://youtu.be/cuq6igW_EI0






