Në prag të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Partizanit ka nisur edhe shitja e biletave për këtë përballje.

Biletat kanë nisur që të shiten më herët në mënyrë që të mos krijohet kaos në ditën e ndeshjes. Rikthimi i zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin “Loro Boriçi” ka vënë mënjeherë në lëvizje drejtuesit e KF Vllaznia, të cilët kanë nisur të marrin masat për mbarëvajtjen e këtij ballafaqimi. Hapi i parë që ata kanë ndërmarrë është nisja e shitjes së biletave që ditën e sotme. Pra, që në mëngjes, në orën 09:00, në sportelet e hapura pranë stadiumit, të gjithë tifozët që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje kanë mundësinë që të blejnë biletat. KF Vllaznia bën të ditur se çmimet e biletave do të jenë si më poshtë: Tribuna VIP – 1000 lekë, Tribuna A dhe B – 500 lekë, Tribuna D – 400 lekë, Tribuna C1 dhe C5 – 300 lekë, Tribuna C2, C3 dhe C4 – 200 lekë, Tribuna E – 300 lekë. Nisja e shitjes së biletave që ditën e sotme, sigurisht bëhet me qëllim për shmangien e ndonjë kaosi të mundshëm që mund të krijohet ditën e ndeshjes, siç ka ndodhur edhe në ndonjë rast të mëparshëm. Klubi shkodran, gjithashtu, ka planifikuar edhe vendin se ku do të qëndrojnë tifozët e Partizanit, për të cilët ka rezervuar tribunën E. Pritet që në këtë ndeshje të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh, si të Vllaznisë, por edhe të Partizanit. Këta të fundit, siç dihet, nuk mund ta ndjekin për momentin skuadrën e tyre, ngaqë ajo është dënuar me 4 ndeshje pa spektatorë, ndaj për këtë arsye do të kenë mundësi ta mbështesin në “Loro Boriçi”.

Artikulli paraprakÇIKLIZËM, ORGANIZOHET KUPA “17 NËNTORI,”VLLAZNIA ME TRE VENDE TË PARA
Artikulli tjetërSHQIPTARI FSHEH KOKAINEN PREJ 100 MIJE EURO NE STOL