Vllaznia pas pushimeve për festat e fundvitit i është rikthyer seancave stërvitore. Nën drejtimin e trajnerit Ervis Kraja shkodranët kanë nisur përgatitjet për vitin 2016-të. Në seancën e parë stërvitore të këtij viti nga sa mësohet ka patur disa mungesa dhe skuadra nuk ka qenë e plotë.

Në këtë mënyrë i pranishëm nuk ka qenë portieri Dragojeviç i cili duket se ka patur një problem në doganë për të kaluar. Po ashtu ka munguar edhe Haxhibuliç i cili bëhet e ditur se ka një të afërm të sëmurë si dhe edhe kosovari Ahmeti i cili ka lajmëruar për mungesën e tij. Pjesa tjetër e skuadrës shkodrane ka qenë e plotë në stërvitjen e parë të 2016-ës. Sulmuesi Paviçeviç edhe pse ka qenë i pranishëm nuk është stërvitur sepse është urdhëruar që të stërvitet me ekipin B të Vllaznisë, çka praktikisht do të thotë se kjo është edhe lamtumira e tij nga ekipi kuqeblu. Nga ana tjetër me skuadrën shkodrane ende nuk ka asnjë lojtar të ri që mund të jetë si përforcim për merkaton e janarit. Grupi i lojtarëve ka qenë i njëjtë ende pa prurje të reja. Edhe pse një pjesë janë larguar nga Vllaznia duket se afrimi i të tjerëve për shkak edhe të mungesës së financave do të jetë i vështirë. Po ashtu në janar përgjithësisht është e vështirë për të gjetur lojtar cilësor që mund të bëjnë diferencën sepse pothuajse që të gjithë janë në kontratë me skuadra të tjera. Dita e parë e stërvitjes pas pushimeve për lojtarët e Vllaznisë nuk ka qenë me një ngarkesë shumë të madhe gjë e cila do të shtohet gradualisht në ditët në vazhdim. Shkodranët edhe pse e mbyllën 2015-ën me fitoren e rëndësishme përballë Bylisit sërish janë në një pozitë të vështirë ndaj edhe ndryshimi i kësaj situate është mëse i nevojshëm.

Artikulli paraprakRESHJET E DËBORËS BLLOKOJNË IBALLËN DHE THETHIN
Artikulli tjetërSITUATA HIDRIKE, KESH BLEN ENERGJINË ELEKTRIKE