Vllaznia ka hyrë në një tjetër etapë të përgatitjeve për sezonin 2026-2027. Duke nisur nga dita e hënë, skuadra e drejtuar nga Edi Martini është vendosur në Pukë, ku do të zhvillojë një minifazë përgatitore disa ditore me synimin për të rritur ritmin dhe për të konsoliduar grupin përpara startit të kampionatit. Gjatë qëndrimit në qytetin verior, kuqeblutë do të zhvillojnë seanca intensive stërvitore, ndërsa në program janë edhe dy ndeshje miqësore në stadiumin “Ismail Xhemali”. Këto teste do t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e futbollistëve dhe për të provuar skemat taktike për sezonin e ri. Ndërkohë, klubi ka zyrtarizuar edhe një tjetër përforcim në merkato. Pas Adnard Mehmetit, fanellën kuqeblu do ta veshë edhe mbrojtësi haitian François André Dulysse, i cili ka firmosur një kontratë 1+1 me Vllazninë.

Në njoftimin zyrtar, klubi shkodran i ka uruar mirëseardhjen mbrojtësit të ri:
“François André Dulysse është kuqeblu! Një tjetër përforcim i rëndësishëm i bashkohet Vllaznisë për sezonin e ri me kontratë 1+1. Mbrojtësi François André Dulysse do të veshë fanellën kuqeblu, duke sjellë cilësi, forcë dhe eksperiencë në repartin difensiv të skuadrës sonë. I urojmë mirëseardhje në familjen e madhe të Vllaznisë dhe shumë suksese me fanellën që mban peshën e historisë dhe krenarinë e Shkodrës.”

Megjithatë, merkatoja e kuqebluve nuk konsiderohet e mbyllur. Drejtuesit dhe stafi teknik vijojnë punën për të përforcuar repartin ofensiv, aty ku aktualisht Edi Martini ka në dispozicion vetëm Bekim Balajn dhe Daniel Perez. Për këtë arsye, afrimi i një sulmuesi tjetër mbetet prioriteti kryesor i Vllaznisë në ditët në vijim.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNGA SHKODRA NË ATHINË ME BIÇIKLETË DRURI
Artikulli tjetërSHQIPËRIA, ME KONSUMIN MË TË ULËT TË ENERGJISË NË BANESA NË EUROPË