Vllaznia pritet të zyrtarizojë afrimin e qendërmbrojtësit nga Kosova, Fatbardh Latifi, i cili prej dy ditësh është parë në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, ndërsa ka firmosur edhe kontratën me kuqeblutë. Burime të besueshme pranë klubit bëjnë me dije se lojtari ka përfunduar të gjitha procedurat zyrtare dhe prezantimi i tij nga ana e klubit pritet të bëhet në orët në vijim. Latifi vjen nga Trepça ’89 dhe më herët ka qenë pjesë edhe e Llapit, duke u konsideruar një përforcim me peshë për repartin defensiv. Stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini, kishte kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në këtë repart gjatë merkatos së verës.

Mbrojtësi i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje dhe është vendosur nën urdhrat e trajnerit Edi Martini për fazën përgatitore. Ai shihet si një element që do të rrisë sigurinë dhe konkurrencën në prapavijë, në një sezon ku objektivat e Vllaznisë mbeten të larta si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. Ndërkohë, drejtuesit kuqeblu nuk ndalen me kaq. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Vllaznia është shumë pranë afrimit të mbrojtësit të majtë Xhezair Avduli. 21-vjeçari nga Maqedonia e Veriut aktivizohet aktualisht me Arsimin dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses U21, duke u konsideruar një profil premtues për të ardhmen.

Nëse marrëveshja finalizohet, Avduli do të shtojë alternativat në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku stafi teknik kërkon më shumë konkurrencë në prag të sezonit të ri dhe sfidave europiane. Bisedimet mes palëve janë në fazë të avancuar dhe pritet vetëm dakordësia përfundimtare për detajet e kontratës, në mënyrë që lojtari t’i bashkohet sa më shpejt skuadrës në fazën përgatitore që po zhvillohet në Slloveni.

https://youtu.be/x5ZtXNerUqc

Artikulli paraprak“FUNDJAVA E DIASPORËS, PROTESTË QË U FUT NË HISTORI”, BERISHA: RAMA S’KA FORCË QË TË SHPËTOJË, DORËHEQJE PA KTHIM!
Artikulli tjetërNDRYSHIME NË POLICINË E SHKODRËS, IKËN GENTIAN BERBERI