Vllaznia ka lënë pas bojkotin. Lojtarët u rikthyen në stërvitje pas 3 ditësh mungesë. Futbollistët dhe stafi në një takim me kryetaren e bashkisë Shkodër Voltana Ademi kanë marrë premtimin se pagat e 4 muajve do t’i marrin brenda pak ditëve edhe pse në fakt mes bashkisë dhe këshillit bashkiak nuk ka ende një marrëveshje paraprake. Zëvendës trajneri Safet Osja thotë se rikthimi në stërvitje është pozitiv.

Kapitani Gilman Lika i cili bashkë me futbollistin Malota janë dy kryesorët që kanë marrë pjesë edhe në takim me kryebashkiaken Ademi u shpreh se çështja e pagave pritet të marrë zgjidhje shumë shpejt ndërsa ende nuk ka një ide se çfarë do të ndodh me ata lojtarë që u mbaron kontrata me 31 maj, pra pas 5 ditësh kur në fakt kampionati do vijojë edhe në qershor dhe korrik.

Në këtë stërvitje të parë pas bojkotit mungoi trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz i cili duhet të presës ditët e karantinës por edhe lojtarët e tjerë nga Maqedonia e Veriut. Përveçse grupi nuk është i plotë, kuqeblutë kanë edhe shumë pak ditë në dispozicion përpara ndeshjes së parë në rifillimin e kampionatit.

Artikulli paraprakGREQIA RIHAP ISHUJT PËR TURIZËM, KRYEMINISTRI: VIZITORËT I PRESIM NGA 15 QERSHORI
Artikulli tjetërSHKODËR, NDËRTOHET E RE BANESA E FAMILJES CURRI