Që në ditët e para të dhjetorit klubi Vllaznia ka nisur qëtë mendojë për merkaton e janarit.

Edhe pse nuk është e lehtë për të gjetur futbollistë cilësor për të përforuar ekipin, drejtuesit e kuqebluve kanë hedhur grepat në kërkim të lojtarëve që mund t’i bashkohen skuadrës në janar. Në këtë mënyrë një prej pistave më të mundshme është kampionati italian i futbollit. Një prej menaxherëve që është afër Vllaznisë ka nisur sugjerimet për disa lojtar që aktivizohen në Itali. Burime pranë skuadrës shkodrane bëjnë me dije se kryesisht vëmendja është përqendruar në repartin e sulmit. Mungesa e një sulmuesi është evidentuar edhe nga vetë trajneri i Vllaznisë Armando Cungu që në fillim të sezonit dhe deri më tani. Kjo është përkthyer edhe me numrin e pakët të golave të shënuar nga Vllaznia. Shkodranët kanë shënuar vetëm 11 gola në 14 ndeshje të luajtura në kampionat që me një përllogaritje të thjeshtë i bie më pak se një gol në një takim. Deri para 5-6 sezonesh pavarësisht pozicionimit Vllaznia ishte skuadra model duke patur përgjithësisht numrin më të lartë të golave të shënuar. Në këtë mënyrë kuqeblutë në merkaton e janarit janë fokusuar tek gjetja e një sulmuesi dhe për momentin vëmendja është përqëndruar në tregun italian. Burime pranë Vllaznisë tregojnë se aktualisht është piketuar një sulmues italian por ende nuk bëhet i ditur emri dhe skuadra ku luan. Megjithatë Italia nuk mbetet pista e vetme sepse në fokus janë edhe disa mundësi të tjera, kryesisht në kampionatet jashtë Shqipërisë.

Artikulli paraprakUJËRAT E ZEZA, ALARMOHEN 35 FAMILJE NË BLERAN
Artikulli tjetërTONIGHT, I DEDIKOHET MUZEUT MARUBI