Vllaznia ka zyrtarizuar një tjetër përforcim në merkaton e verës, duke siguruar shërbimet e sulmuesit venezuelian Daniel Alejandro Pérez Córdova, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin kuqeblu. Pérez ka mbërritur në Shkodër me një eksperiencë të rëndësishme në futbollin europian, pasi gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e klubeve si Club Brugge, Oostende, Lokeren dhe Nea Salamis, ndërsa ka përfaqësuar edhe kombëtaret e moshave të Venezuelës. Ai konsiderohet një futbollist me forcë fizike, lëvizshmëri dhe instinkt për golin, karakteristika që trajneri Edi Martini i ka kërkuar për repartin ofensiv.

Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet: “Daniel Perez është kuqeblu! Eksperiencë europiane. Fuqi në sulm. Ambicie për gola. 24-vjeçari ka firmosur kontratë 2-vjeçare me KF Vllaznia. Mirë se vjen në Shkodër, Daniel! Tash… fol me gola!” Me këtë afrim, Vllaznia synon të rrisë konkurrencën në repartin ofensiv për sezonin e ri, ku objektivat janë maksimalë si në kampionat, ashtu edhe në arenën europiane. Tashmë mbetet për t’u parë se sa shpejt sulmuesi venezuelian do të përshtatet me ekipin dhe do të nisë të japë kontributin e tij me fanellën kuqeblu.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak29 PERSONA TË ARRESTUAR OSE PROCEDUAR PËR ZJARRVËNIE
Artikulli tjetër“ZËRI IM, E ARDHMJA IME”