Vllaznia ka blinduar edhe më shumë vendin e parë. Kuqeblutë morën një fitore ndaj një ekipi tjetër pretendent si Teuta duke e thelluar në 9 pikë diferencën me këtë skuadër. Shkodranëve u mjaftoi një gol në pjesën e dytë për të siguruar një fitore mjaft të vlefshme që përforcon pozitat e kuqebluve në krye të renditjes. 20 minutat e para Teuta provoi të befasojë kuqeblutë por Vllaznia u mbrojt mirë. Më pas e gjithë pjesa tjetër e takimit foli për shkodranët të cilët dominuan këtë përballje më të rëndësishmen e kësaj jave.

Kjo ishte edhe ndeshja e parë për këtë vit duke e nisur me një trepikësh që ka çuar në delirë tifozët të cilët fatkeqësisht nuk po e përjetojnë në stadium këtë paraqitje të mirë të ekipit. 45 minutat e para të lojës u mbyllën 0-0 por Dilavar kishte një mundësi në pjesën e parë. Gjuatja e tij u ndal nga shtylla pingule duke i mohuar golin Vllaznisë. Në 45 minutat e dyta kuqeblutë janë edhe më kërkues.

Është minuta e 60’ kur Hoxhaj bëhet sërish protagonist. Përfiton bukur një hapësirë në mbrojtjen durrsake dhe del i vetëm me portierin duke dërguar në rrjetë topin dhe duke i dhënë avantazhin shkodranëve. Vllaznia vijon të luaj mirë ndërsa mbron rezultatin. Në minutën e 68’ autorit i golit Hoxhaj bën një ndërhyrje të gabuar dhe ndëshkohet me karton të kuq duke bërë që Vllaznia të mbetet me 10 futbollistë në fushën e lojës. Edhe pse në epërsi numerike shkodranët arrijnë që të ruajnë epërsinë e golit.

Teuta mundohet përmes kundërsulmeve por pa arritur që ta barazojë rezultatin. 90 minutat e kësaj sfide të rëndësishme për kreun e renditjes mbyllen me fitoren e Vllaznisë në shifrat 1-0 duke shtuar shanset për objektivat e kuqebluve për daljen në Kupat e Europës dhe këtë tentativë për fitimin e titullit kampion që deri më tani është në rrugën e duhur. Pas kësaj përballjeje Vllaznia do të ketë një tjetër sfidë të vështirë me Kukësin, një tjetër ekip pretendent.

Artikulli paraprakSHKARKIMET NË HEC-E, DREJTORI I KESH: SITUATA NËN KONTROLL
Artikulli tjetërKOPLIK, RRUGA E SPITALIT E AMORTIZUAR PREJ VITESH