Klubi Vllaznia ka firmosur kontratën me mesfushorin Fjoart Jonuzi duke bërë që futbollisti në fjalë të rinovojë duke vijuar që të jetë pjesë e Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e klubit të futbollit Vllaznia në të cilën thuhet se:

“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur akordin dhe ka firmosur kontratën e re me mesfushorin Fjoart Jonuzi, për të qenë edhe për një sezon tjetër pjesë e jona. Ai do të bashkohet menjëherë me skuadrën në stërvitje, për t’u bërë gati për ndeshjet europiane”.

Ndërkohë tek Vllaznia pritej edhe ardhja e mbrojtësit të majtë Esin Hakaj por shkodrani pas mbylljes së kontratës me Partizanin duket se do të shkojë drejt Turqisë tek skuadra e Samsunspor. Mbrojtësi ishte në bisedime me drejtuesit kuqeblu por oferta nga Turqia e ka bërë atë që të ndryshojë mendim dhe me shumë mundësi mund të firmosë me turqit. Tek Samsunspor tashmë ndodhet edhe futbollisti tjetër shkodran, sulmuesi Erald Çinari me të cilin Hakaj luajti sezonin e kaluar tek Partizani. Kështu Vllaznisë i duhet të gjejë një futbollist tjetër cilësor për krahun e majtë të mbrojtjes pasi edhe Isaevski ka konfirmuar largmin nga kuqeblutë. Vllaznia ka udhëtuar drejt Serbisë për të zhvilluar fazën përgatitore në Zllatibor dhe atje pritet që të bashkohen futbollistët që mund të firmosin apo që mund të shkojnë në provë. Megjithatë deri më tani lëvizjet në merkato për kuqeblutë janë të pakta. Pritet zyrtarizimi i Bruno Telushit por ende bisedimet nuk përfunduar plotësisht ashtu siç sulmuesi Ngo është duke studiuar ofertën që i ka bërë Vllaznia por ende nuk ka vendosur. Ndërkohë numri i futbollistëve të largua nga kampi shkodran është më i madh dhe sezonin e ardhshëm do të kemi një ekip thuajse të ndërtuar nga fillimi. Vllaznia ditën e djeshme zhvilloi një ndeshje miqësore me ekipin e Budoçnostit të Malit të Zi teksa barazoi 1-1 dhe nga aty shkodranët udhëtuan drejt Serbisë për fazën përgatitore. Ndërkohë kuqeblutë pritet të zhvillojnë edhe dy takime miqësore në Serbi, njëra me 27 qershor me ekipin e Novi Pazar dhe një tjetër që ende nuk është përcaktuar kundërshtari ndërsa pas ardhjes në Shkodër mund të ketë një miqësore me Budoçnostin sërish ose skuadrën tjetër të Malit të Zi, shqiptarët e Deçiçit të Tuzit.

Artikulli paraprakPD: TË HËNËN NIS ANALIZIMIN E “MASAKRËS ZGJEDHORE”
Artikulli tjetër“EURO 2020”, ZGJOHET GJERMANIA, ZHGËNJEN FRANCA DHE SPANJA