
Radha e futbollistëve të larguar nga Vllaznia vijon pa ndërprerje.
Me shumë mundësi ashtu siç është përfolur gjatë gjithë këtyre ditëve largimi i radhës pritet që të jetë Brunild Pepa. Sulmuesi nuk ka zhvilluar një sezon të mirë tek kuqeblutë ku shpesh ka qenë edhe jashtë 18-shes për shkak se nuk ka bindur stafin teknik. Fillimisht ka luajtur si titullar por mungesa e produktivitetit në lojën sulmuesi bëri që ta humbte vendin e titullarit. Largimi i Pepës vjen edhe ikjes të Cicmil, Bicaj dhe portierit Agoviç nga kuqeblutë. Ndryshe nga dy malazezët që janë përjashtuar Pepa ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga Vllaznia për shkak se preferon që ta vijojë karrierën e tij në një klub tjetër. Kështu nga sa mësohet skuadra me të cilën do të luaj sezonin e ardhshëm me shumë mundësi do të jetë Lushnja. Lushnjarët u ngjitën në Kategorinë Superiore dhe tashmë ky mesa duket është momenti i duhur që Pepa t’i bashkohet ekipit të qytetit të tij për të kontribuar aty. Sulmuesi kishte një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi me Vllazninë por lushnjari nuk ka preferuar që të vijojë më në Shkodër duke u zhvendosur kështu në qytetin e tij. Brunild Pepa luajti 16 ndeshje me Vllazninë duke u aktivizuar në 856 minuta por pa realizuar asnjë gol gjë e cila për një sulmues është një rendiment tejet i ulët. Sulmuesi Pepa pa frikë mund të thuhet se është një prej dështimeve në merkaton e Vllaznisë duke bërë kështu që të largohet me dëshirën e tij. Pavarësisht asaj që ka shprehur lojtari drejtuesit e Vllaznisë sipas burimeve nuk e kanë patur më në planet e tyre për shkak të paraqitjes jo të duhur.






