
Vllaznia vijon përgatitjet në Medjugorje të Bosnje-Hercegovinës, vend ku futbollistët kuqeblu po marrin ngarkesat e duhura stërvitore në prag të përballjeve të tyre europiane. Me kalimin e ditëve, stafi teknik ka menduar edhe për zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe nga sa mësohet, skuadra shkodrane do të zhvillojë dy të tilla përpara kthimit në shtëpi. Emrin e kundërshtarit të parë e ka zbuluar në një prononcim për faqen zyrtare të klubit vetë trajneri Thomas Brdariç, i cili ka bërë të ditur se të premten do të luajnë ndaj Zrinjski Mostar, skuadrës nënkampione të Bosnje-Hercegovinës.
“Përgatitjet e ekipit këtu në Medjugorje po shkojnë mirë. Jemi akoma në pikun e ngarkesave të larta fizike dhe të gjithë janë të përfshirë në mënyrë që të jenë pjesë e Vllaznisë së re. Të gjithë së bashku po shkojmë në drejtimin e duhur, të ndërtojmë një Vllazni të fortë. Të premten luajmë miqësoren kundër Zrinjskit dhe gradualisht do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet europiane.”
Ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia ka qenë shumë pranë firmës me Valon Ahmedin, por në fund gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe ajo nuk është realizuar. 29-vjeçari, pas bisedave me drejtuesit e Vllaznisë, ka gjetur akordin dhe ka marrë rrugën drejt Shkodrës ditën e shtunë për të hedhur firmën. Ahmedi kishte pranuar të gjitha kushtet e ofruara nga pala e Vllaznisë, me drejtuesit kuqeblu që i kishin plotësuar kërkesën për shumën e kërkuar nga ana e tij. Kur u duk se gjithçka është mbyllur dhe ka mbetur vetëm firmosja e kontratës dhe prezantimi i afrimit të rradhës të kuqebluve, nuk ndodhi një gjë e tillë.
Çuditërisht, Ahmedi ka ndryshuar mendje në momentet e fundit duke refuzuar Vllazninë dhe nuk ka pranuar të firmosë me kuqeblutë. Si rrjedhojë, ai pasi kishte marrë rrugën drejt Shkodrës, është kthyer sërish andej nga kishte ardhur. Lojtari në fjalë nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë situatë, teksa madje ai nuk u është përgjigjur as telefonatave nga ana e drejtuesve të Vllaznisë ditën e shtunë. Në këtë mënyrë, çështja e afrimit të Valon Ahmedit te Vllaznia mbyllet këtu dhe drejtuesit kuqeblu tashmë duhet të shohin alternativa të tjera për mesfushën dhe repartet e paplotësuara akoma.