
Policia e Shkodrës ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë në kuadër të ndeshjes së futbollit mes Vllaznia dhe Tirana, e cila do të zhvillohet më te premten, në orën 19:00, në stadiumin Loro Boriçi
Sipas njoftimit zyrtar, masat do të jenë në fuqi duke nisur nga ora 06:00 e datës 27 shkurt deri në përfundim të ndeshjes. Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve në perimetrin e sigurisë së stadiumit.
Po ashtu, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në zonën përreth, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe atyre të shërbimeve me rëndësi të veçantë.
Policia bën me dije se, në varësi të situatës, mund të aplikohet devijimi i lëvizjes së mjeteve nga rrugët pranë stadiumit drejt akseve alternative.
Autoritetet paralajmërojnë se për çdo mjet të parkuar në kundërshtim me masat e përcaktuara do të aplikohen sanksionet ligjore, përfshirë edhe spostimin me karrotrec.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit sportiv.






