
Skuadra e U-19 e akademisë Vllaznia të enjten ka finalen e saj që do të luhet në “Elbasan Arena” përballë ekipit të Partizanit. Përpara kësaj ndeshje në klubin Vllaznia është shfaqur një situatë kaotike për shkak të parave që nevojiten për grumbullimin e skuadrës drejt Elbasanit një natë përpara ndeshjes finale që kanë me të kuqtë e kryeqytetit.
Edhe pse në një sfidë shumë të rëndësishme siç është finalja për 19-vjeçarët ka disa pikëpyetje. Klubi Vllaznia aktualisht nuk mund të përdorë asnjë qindrakë nga llogaritë e saja për shkak të sekuestros të vendosur ditët e fundit si rrjedhojë e detyrimit prej 74 mijë eurosh ndaj kompanisë “Gea Sport” që kishte më parë presidencën e Vllaznisë.
Për shkak të ngrirjes të të gjitha llogarive deri në një vendim të formës së prerë nga gjykatat e vendit, klubi shkodran s’ka të drejtë të bëjë pagesa apo të tërheqë para. Në këtë mënyrë klubi ka mbetur në udhëkryq duke mos patur para për të paguar grumbullimin e 19 vjeçarëve një natë përpara finales që Vllaznia ka me Partizanin në Elbasan.
Një biznesmen ka dhënë një shumë prej 1 milion lekësh të vjetër për futbollistët e rinj pas kualifikimit që Vllaznia U-19 bëri në ndeshjen me Flamurtarin në gjysmëfinale dhe këto para në vend që të shkojnë premio për lojtarët mund të përdoren për të bërë pagesën e grumbullimit në Elbasan.
Nga ana tjetër burime pranë akademisë bëjnë me dije se po tentohen disa mënyra të tjera për të bërë të mundur pagesën e grumbullimit por situata në këtë mes është e paqartë. Në vend që të të mendohet vetëm për përballjen në fushën e lojës të Vllaznisë U-19, qetësisë që duhet dhe përkushtimit tek sfida finale ekipi ndodhet në këtë kaos për shkak të mënyrave të ndryshme të parave që duhen për grumbullimin përpara kësaj ndeshje të rëndësishme.






