Vllaznia do të kërkojë sulmues cilësorë në Libi. Pikërisht në stërvitje me ekipin është parë një sulmues nga Libia, Mohamad Kdouh. Ai është 22 vjeç dhe në sezonin e fundit ka luajtur në Finlandë me ekipin Ilves Tampere. Mohamad Kdouh ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të vendit të tij dhe është konsideruar një element me shumë perspektivë dhe jo më kot ka tentuar të kalojë në futbollin europian. Kdouh do të jetë në provë për disa ditë dhe do të mundohet të bindë trajnerin Zmijani për aftësitë e tij.

Libiani do të mund të nënshkruajë me Vllazninë vetëm nëse më parë bind plotësisht stafin teknik. Vllaznia siç dihet ka nevojë për një sulmues cilësor pas dëmtimit të malazezit Paviçeviç, i cili ende nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për të luajtur. Në rrethana të tilla, natyrisht që duhet gjetur patjetër një lojtar tjetër për këtë repart. Në ditët e tjera pritet të ketë të tjerë futbollistë në provë, prej të cilëve do të bëhet pjesë e Vllaznisë vetëm ai kandidad që kalon suksesshëm testin, duke marrë aprovimin e trajnerit Zmijani. Në favor të Vllaznisë dhe mbi të gjithëve të stafit teknik është fakti se shkodranët nuk janë të angazhuar në kampionat për këtë fundjavë, teksa përballja me Skënderbeun është shtyrë për datën 9 shtator.Shtyrja e ndeshjes me Skënderbeun ka bërë që për ekipin e Vllaznisë të dalë si domosdoshmëri zhvillimi i një takimi miqësor ditën e shtunë. megjithatë, duket se do të jetë e vështirë gjetja e një kundërshtari për këtë miqësore. Kjo, ngaqë ekipet e Superligës shqiptare luajnë të premten dhe të shtunën, për rrjedhojë janë të zëna. Po ashtu, edhe ekipet malazeze kanë nisur kampionatin dhe nuk mund të luajnë. Mbetet vetëm alternativa e ekipeve të kategorisë së pare, por edhe këtu nuk ka shumë opsione. Besëlidhja e Kastrioti, që janë dy ekipet më të mira, kanë nisur fazat përgatitore në Razëm dhe Pogradec. Tashmë ka mbetur vetëm opsioni i luajtjes me Mamurrasin apo dhe Burrelin. Tani duhet pritur në qoftëse nuk do të kemi të tjera refuzime për kuqeblutë.

Artikulli paraprakAP, PUBLIKON PROTESTEN NË SHQIPËRI NË VITIN 1997
Artikulli tjetërCHAMPION LEAGUE, SKËNDËRBEU NË SFIDËN E PARË NDAJ DINAMOS