Vllaznia ka zgjedhur trajnerin e ri. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Csaba Laszlo, 62-vjeçari hungarez, do të jetë trajneri i ri i kuqebluve, me palët që kanë arritur marrëveshjen për një kontratë një-vjeçare. Laszlo pritet të prezantohet zyrtarisht këtë fundjavë, duke marrë menjëherë drejtimin e skuadrës dhe përgatitjet për ndeshjen e ardhshme të kampionatit ndaj Dinamos. Trajneri hungarez ka një eksperiencë të gjatë në futbollin ndërkombëtar, ku ka drejtuar skuadra të njohura si Ferencvaros, Hearts, Budapest dhe Dundee United, ndërsa ka qenë gjithashtu trajner i Kombëtareve të Lituanisë dhe Ugandës.

Në të kaluarën, Laszlo ka punuar edhe si ndihmës i Lothar Mateus te Kombëtarja e Hungarisë. Emërimi i Laszlos shënon zyrtarisht edhe përfundimin e epokës së Edi Martinit në stolin kuqeblu, teksa Vllaznia tashmë nis një kapitull të ri me trajnerin hungarez. Prezantimi pritet të zhvillohet gjatë fundjavës, ndërsa objektivi i parë i trajnerit të ri do të jetë rikthimi i skuadrës te rezultatet pozitive pas startit të vështirë të këtij sezoni.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPASTRIM DHE MONITORIM NË BRIGJET E MATIT
Artikulli tjetërJAVA OLIMPIKE, AKTIVITET SPORTIV NË VAU-DEJËS