Vllaznia është mposhtur me rezultatin 1-2 nga Egnatia në stadiumin “Air Albania”, në një sfidë ku skuadra shkodrane tregoi edhe një herë tjetër mungesë karakteri në momentet më vendimtare të sezonit. Kjo humbje djeg shumë dhe zhgënjen në maksimum tifozët kuqeblu, teksa tashmë Vllaznia duket se ka humbur pothuajse çdo shpresë reale për trofeun e titullit kampion. Nga ana tjetër, Egnatia e drejtuar nga Nevil Dede hodhi një tjetër hap të madh drejt titullit kampion. Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, të tre golat e takimit erdhën me goditje me kokë, duke nxjerrë në pah edhe problemet serioze të mbrojtjes kuqeblu në duelet ajrore në dy golat e pësuar. Sota kaloi në avantazh Egnatian në pjesën e parë, ndërsa Vllaznia reagoi shumë vonë me golin e Qatos në minutën e 77-të. Në ato momente u duk se skuadra e Edi Martinit mund të shpëtonte, duke marrë të paktën një pikë, por edhe një herë tjetër kuqeblu u ndëshkuan nga pafuqia fizike dhe përqendrimi i munguar në fundin e ndeshjes. Në minutën e 88-të ishte Adjessa që “fiku” përfundimisht shpresat e shkodranëve, duke i dhënë Egnatias një fitore me aromë titulli. Edhe kartoni i kuq për kapitenin Aleksi nuk ndryshoi asgjë për fatin e takimit. Për Vllazninë, ky është një tjetër sezon që rrezikon të mbyllet mes zhgënjimit dhe premtimeve të pambajtura nga drejtuesit. Tashmë, kuqeblutë mund ta fitojnë titullin vetëm nëpërmjet një mrekullie sportive, që është pothuajse e pamundur për të ndodhur, ndërsa Egnatia ka gjithçka në dorën e saj për të siguruar titullin e tretë rradhazi kampion.

Artikulli paraprakFUTBOLL FEMRA, VLLAZNIA NË FINALEN E KAMPIONATIT
Artikulli tjetërHAPEN APLIKIMET PËR SKEMËN KOMBËTARE E MBËSHTETJES NË BUJQËSI, RAMA: PËRFSHIN 9 MASA DIREKTE DHE 3 MASA INVESTIMI