
Vllaznia e ka nisur me një barazim sezonin e ri të Abissnet Superiores, duke ndarë pikët me Skënderbeun në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë barazuan 2-2 me korçarët në ndeshjen hapëse të kampionatit, në një sfidë që për ta kishte marrë një rrjedhë shumë të mirë, por që në fund nuk u mbyll me fitoren e dëshiruar. Të katër golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë. Vllaznia kaloi në avantazh të dyfishtë falë një dopiete të kapitenit Bekim Balaj, duke krijuar përshtypjen se fitorja ishte shumë pranë. Megjithatë, Skënderbeu reagoi dhe riktheu ekuilibrin në “Loro Boriçi”. Janaqi ngushtoi diferencën në minutën e 57-të me një goditje spektakolare nga jashtë zone, ndërsa Charles Bismark barazoi shifrat në minutën e 74-t. Në minutat e mbetura, Vllaznia nuk arriti të rikthehej te goli i fitores, duke u detyruar të kënaqej me vetëm një pikë. Një rezultat zhgënjyes për skuadrën shkodrane, sidomos duke parë se kishte krijuar një avantazh prej dy golash. Pas barazimit, foli trajneri i shkodranëve, Edi Martini i cili analizoi ndeshjen e parë.
Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, theksoi se barazimi në Shkodër ishte meritë e lojtarëve që sipas tij morën atë që u takonte nga kjo sfidë.
Kështu, Vllaznia e nis sezonin me dy pikë të humbura në shtëpi, ndërsa Skënderbeu merr një pikë të rëndësishme në transfertë pas një rikthimi të fortë. Barazimi 2-2 i jep të dyja skuadrave nga një pikë në javën e parë të edicionit të 88-të të Superiores, ndërsa Vllaznia do të kërkojë fitoren e parë në javën e dytë, në transfertën ndaj AF Elbasanit.






