Kriza e Vllaznisë po thellohet ndjeshëm në fazën më vendimtare të sezonit. Shkodranët pësuan një tjetër disfatë, këtë herë me rezultatin 1-0 ndaj Tiranës, në sfidën e javës së 35-të të Abissnet Superiore, zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ndeshja u vendos që në minutën e 15-të, kur Silva shndërroi në gol një goditje nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin vendasve. Vllaznia, megjithëse pati kohë për të reaguar, nuk arriti të konkretizojë rastet dhe të rikthehet në lojë.
Kjo humbje konfirmon një moment tepër negativ për kuqeblutë, që tashmë regjistrojnë disfatën e katërt radhazi në kampionat. Një seri rezultatesh që ka zbehur ndjeshëm ambiciet e një skuadre që deri pak javë më parë shihej si pretendente serioze për titullin. Rënia e formës, mungesa e efikasitetit në sulm dhe pasiguritë në lojë po reflektohen qartë në rezultatet e fundit, duke vënë në diskutim stabilitetin e skuadrës në këtë fazë kritike.
Nga një pretendent për majën, Vllaznia po përjeton një krizë që kërkon reagim të menjëhershëm, nëse synon të shpëtojë sezonin dhe të rikthejë besimin brenda dhe jashtë fushës.

Artikulli paraprakLICEU “JORDAN MISJA” KONCERT NË LEZHË
Artikulli tjetërBERISHA THIRRJE JASHTË KUVENDIT: KUNDËRSHTARI NUK DO E MËSOJË ONLINE SKENARIN TONË