Vodhën vilën Agnelli, pendohen 3 shqiptarë

Tre shqiptarë nga Kosova, që në vitin 2015 vodhën vilën e Allegra Agnelli, pjesëtare e familjes së njohur të aristokracisë italiane, kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë. Bëhet fjalë për shtetasit Sedat Kurda, Femi Makolli dhe Flijorim Rexhepi, të moshave 50, 48 dhe 41 vjeç, të tre rezidentë në Itali. Duke pranuar fajin, Kurda dhe Makolli, banues në Milano janë dënuar me 4 vjet e 4 muaj burg secili, ndërsa Rexhepi me 3 vjet e 3 muaj. Por Rexhepi është liruar pak kohë më parë për skadim afatesh. Të tre grabitësit kanë ndihmuar policinë në rekuperimin e sendeve me vlerë që ishin grabitur në villën që ndodhet në Fiano, pranë qytetit të Torinos. Sipas mediave italiane, grupi ishte aktiv në vjedhjen e vilave dhe hetuesit i konsiderojnë përgjegjës për mbi 10 vjedhje.