Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi duke marrë shkas nga 1 qershori, theksoi se kjo festë nuk është festuar ashtu siç duhej.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ demokratja ka parashtruar disa nga shqetësimet që shqetësojnë sot prindërit, apo fëmijët. Po ashtu, Vokshi theksoi se gratë ministre duhet të reagonin në lidhje me ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku një 65-vjeçar ka përdhunuar një 15-vjeçare.

“Nuk arrij të kuptoj si është e mundur që një Ministre e Arsimit nuk reagon për një ngjarje kaq të rëndë??? Po për çfarë dreqin duhet një ministre që nuk reagon për asgjë e hesht për çdo gjë?”, shkruan Vokshi.

REAGIMI I VOKSHIT
Sot është 1 qershori. Një ditë që duhet të ishte e mbushur me zërat gazmorë të fëmijëve dhe gëzimin e tyre të ciltër. Por sot, 1 qershori nuk ishte i tillë, ishte një ditë e trishtë.
U mendova shumë për të shkruar një mesazh standard urimi për të gjithë fëmijët. Por si t’i uroja ato qindra mijëra nëna që sot nuk kanë me c’ti gëzojnë fëmijët e tyre? Çfarë urimi të bëja për nënat me sytë e trishtuar e me lotë për fëmijët që janë larguar për një jetë më të mirë?? Çfarë urimi mund t’i bëja mijëra fëmijëve që nuk marrin dot kura e ilaçe sepse shëndetësia falas ishte një mashtrim i madh? Po për ata dhjetëra mijë fëmijë që nuk kanë asnjë mundësi arsimimi sepse nuk shkojnë dot në shkollë dhe Qeveria nuk ju mundëson as internetin falas për mësimin on line??
Ndaj vendosa që sot të solidarizohem me lotin dhe dhimbjen e çdo nënë që nuk ka mundësi të ushqejë fëmijën e saj 3 vakte në ditë; me prindërit që detyrohen t’i nxjerrin fëmijët për të mbledhur qymyr për disa qindarka më shumë; me nënat që sot vuajnë dhunën e përditshme institucionale të shtetit që i ka braktisur.

Në mëngjes lexova një status drithërues të gazetares Anila Hoxha, e cila kishte shpjeguar me detaje, që shumë prej nesh nuk i dinin, një ngjarje tronditëse të bërë publike ditët e fundit. Ishte një histori tronditëse e abuzimit me një vajzë të mitur vetëm 15 vjeç nga roja I shkollës dhe disa të rinj. Jo vetëm ngjarja ishte shumë e rëndë, por më ulëritës ishte fakti që as drejtori i shkollës, as psikologu, as mësuesit, as policia, as punonjësi i sigurisë, as fqinjët….askush nuk kishte folur, askush nuk kishte reaguar aq më pak dënuar…
Ky është rasti tipik kur propaganda e Ramës me projektin “Oficerët e Sigurisë në Shkolla” nuk e mbrojti dot vajzën e mitur, viktimë e rojës maniak, që merret në mbrojtje nga drejtuesi i shkollës, që me shumë gjasa udhëhiqet vetëm nga urdhri partiak e jo nga ndërgjegjja e përmbushjes së përgjegjësive për kujdesin ndaj fëmijëve.

Ky është rasti tipik kur policia e shtetit nuk mbron fëmijët, por kriminelin, përdhunuesin e trafikantin.
Ky është rasti tipik i asaj ndjenje paniku që ndjen cdo nënë që i çon fëmijët në shkollë e rrin me frikën që atje mund t’ja dhunojnë sepse shteti nuk i mbron, policia nuk reagon, organi akuzës nuk heton.

E si në çdo rast të ngjashëm, Ministrja #Shahini shkëlqeu me heshtjen e saj. . .
Po si nuk pamë një reagim të grave Ministre? Apo grave deputete? Apo zëvendësministre? Apo drejtuese të tjera? Apo mirëqenia e një vajze nga një familje e thjeshtë në Kamëz, nuk hyn në axhendat e tyre të ngjeshura me mbledhje e takime ku shpalosin raportet për arritjet propagandistike e plot statistika shumëngjyrëshe në luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve që nuk harrojnë t’i dërgojnë të paketuara bukur në çdo ambasade apo organizëm ndërkombëtar.
Nuk arrij të kuptoj si është e mundur që një Ministre e Arsimit nuk reagon për një ngjarje kaq të rëndë??? Po për çfarë dreqin duhet një ministre që nuk reagon për asgjë e hesht për çdo gjë?
A ka ndonjë ndjenjë faji kjo grua për derexhenë ku e ka katandisur arsimin? Kur në oborret e shkollave shitet drogë dhe brenda shkollave nxënëset ngacmohen, dhunohen e përdhunohen edhe nga mësues e roje??
A e bën gjumin rehat Besa Shahini, apo nuk ka asnjë ndjesi meqenëse asgjë s’e lidh me realitetin që ne jetojmë në Shqipëri?? E meqenëse nuk është për asgjë, le të ikë sa më parë!!!
Ku janë shoqatat në mbrojtje të fëmijëve që nuk flasin?? Kaq pak vlerë ka një jetë e mirëqenë dhe e dinjitoze për një vajzë të mitur sa nuk merr dot as vëmëndjen e shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare për reagim??
Që nesër kjo ngjarje të mos na ndodhë ne, duhet që sot të reagojmë të gjithë ndaj sistemit shkollor të kalbur, thellësisht të politizuar, të paaftë që ka ngritur Rama – Nikolla – Shahini.
Në vetëm një vit sa raste ngacmimi, dhunimi e përdhunimi të vajzave të mitura brenda shkollave. A ju kujtohet rasti i Kavajës ku një vajzë e mitur u dhunua nga disa djem? Apo rasti i Arapajt ku një vajzë u dhunua brenda ambjenteve të shkollës nga djali i kryeplakut? Po rasti Fierit ku nxënësja u ngacmua nga mësuesi /it? A ka vepruar drejtësia për këto raste? Në dijeninë time, në asnjërin prej këtyre rasteve organet e drejtësisë nuk kanë bërë drejtësi, sepse dhunuesit kanë lidhje me partinë shtet.
E në këtë 1 qershor në vend të një urimi, unë kam vetëm një mezash për cdo nënë:
Mbroni vetë #Fëmijët tuaj nga mungesa e Shtetit!!!
#MbroniFëmijëtTuaj
#ShtetiMungon

Artikulli paraprak“ZGJEDHORJA”, OPOZITA E BASHKUAR NUK TËRHIQET: KËSHILLI POLITIK TË MBLIDHET NESËR
Artikulli tjetërRAMA CITON MUHAMMED ALI: MOS NUMËRO DITËT, JEPU VLERË ATYRE