
Dinamo pretendente për titullin kampion ia ka dalë të fitojë edhe në Shkodër, duke marrë fitoren e tretë rradhazi. Vllaznia, e mbushur me volejbolliste të reja, arriti t’i marrë vetëm një set dinamovitëve, por jo më shumë, sepse ata triumfuan në shifrat 3-1. Ndeshja e luajtur në “Qazim Dervishi” nisi me rivalitet, por në fund triumfoi përvoja e vajzave mike që e fituan këtë set 25-19. Të dytin, Dinamo do ta fitonte lehtësisht 25-10. Vllaznia “zgjohet” në setin e tretë, të cilin e fiton 25-23. Megjithatë, skuadra e trajnerit Orlando Koja në setin e katërt kontrolloi gjithçka, duke e fituar atë në shifrat 25-19 dhe në këtë mënyrë, krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Edhe pse humbi me Dinamon me rezultatin 3-1, trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Dorjan Tafa tha se është i kënaqur me skuadrën, pasi ajo ka rritje.
Nga ana tjetër, pas fitores me Vllazninë, trajneri i Dinamos në volejboll për femra, Orlando Koja tha se objektivi i tyre është titulli kampion.
Me këtë fitore, Dinamo ngjitet në kuotën e nëntë pikëve pas tre javësh kampionat, ndërsa Vllaznia mbetet me tre pikë.






