
Vllaznia në volejboll për femra ka arritur një fitore të rëndësishme duke mundur 3-2 ekipin e Teutës, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës.
Vajzat shkodrane edhe pse ndodheshin në disavantazh kanë shfaqur grintë në fushën e lojës duke e kthyer rezultatin në favorin e tyre dhe duke fituar kështu 3-2.
Trajneri i Vllaznisë Mark Kroqi tha se është një fitore plot tension ndërsa u shpreh se volejbollistet e tij duhet të mësojnë shumë nga skuadra e Teutës sa i përket grintës që shpesh i mungon ekipit të tij.
Mungesa e grintës thotë trajneri Kroqi ndodh për disa arsye që mund të jenë papjekuria apo edhe mungesa e experiences.
Vllaznia në volejboll për femra është duke menduar për përforcime dhe shumë shpejt në skuadër mund të vijnë lojtare të huaja në mirë që të rritet cilësia e këtij ekipi.
Vllaznia edhe pse kishte avantazhin në setin e parë nuk arrin ta mbajë dhe Teuta e përmbys duke e fituar setin e parë 25-22. Vllaznia shfaq forcën e saj në setin e dyte dhe e fiton atë 25-20. Teuta tregon dhëmbët duke kërkuar medoemos një rezultat pozitiv ndërsa fiton setin e tretë 25-18 duke u rikthyer në kryesimin e lojës.
Vllaznia nuk dorëzohet lehtë në shtëpi dhe bën gjithçka mirë në setin e katërt duke e fituar 25-23 dhe duke rikthyer barazpeshën në 2-2. Në setin e pestë dhe të fundit Teuta e nis shumë mirë duke udhëhequr 4-0 por Vllaznia zgjohet dhe e çon rezultatin në 8-6.
Vajzat shkodrane nuk gabojnë më ndryshe nga Teuta që nuk përqendrohet. Skuadra kuqeblu fiton 15-9 setin e pestë dhe krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-2 duke mbajtur kështu vendin e katërt dhe duke qenë brenda objektivave ndryshe nga Teuta e cila rrezikon ndjeshëm rënien pas kësaj humbje në Shkodër.






