Pas humbjes në kampionat me Farka Volej skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj do të ketë një tjetër përballje me këtë ekip.

Sërish kuqeblutë do të luajnë në transfertë ndaj Farkës por kësaj here jo për kampionat por në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Është një sfidë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për takimin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë teksa përballë do jenë përsëri Farka Volej dhe Vllaznia. Në ndeshjen e kampionatit Vllaznia u mund 3-1 nga Farka në Tiranë duke bërë që të spostohet në vendin e pestë në renditje dhe të dalë momentalisht jashtë objektivave që është faza Play off. Pas Partizanit këtë sezon Farka është treguar skuadra e dytë më e mirë duke qenë afër të kuqve në renditje por edhe duke fituar përballjet me ekipet rivale si Studenti, Tirana apo Vllaznia. Ndaj gjysmëfinalja e Kupës pritet me interes mes Farkës dhe Vllaznisë. Ndryshe nga disfata që pësuan në kampionat ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Mark Kroqi do të kërkojë një fitore për të vijuar më tej rrugëtimin në finale. Prerja e biletës për sfidën finale s’do jetë aspak e lehtë për Vllaznisë duke patur parasysh faktin se ndeshja luhet në transfertë ndërsa Farka Volej po kalon një moment të mirë. Pavarësisht kësaj kuqeblutë do të tentojnë që të jenë ata ekipi i kualifikuar për në finale të Kupës edhe pse është një mision i vështirë. Rikthimi në ekip nga Gjermania i Anton Qafarenës pas një prove atje ndihmon Vllazninë. Kjo ndeshje do jetë ditën e enjte në ora 18:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me skuadrës kryeqytetase dhe kuqebluve shkodran.