Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj vijon përgatitjet e saj pavarësisht se kampionati është ndërprerë.

Trajneri i kësaj skuadre Artan Kalaja shprehet se ekipi ndodhet në një formë të mirë sportive dhe se volejbollistët po bëhen gati për pjesën e mbetur të sezonit për të arritur rezultate pozitive në kampionat. Trajneri Kalaja nuk mohon faktin se Vllaznia do vijojë që të jetë një pretendente edhe këtë sezon për fitimin e titullit kampion. Kuqeblutë e kanë treguar këtë gjë me rezultatet e arritura dhe me renditjen në kampionat duke qenë në vendet e para. Pjesa e dytë e sezonit thotë tekniku i voljebollistëve të Vllaznisë patjetër që është edhe më i vështirë. Skuadra shkodrane sipas trajnerit të saj duhet që të jetë me këmbë në tokë si e vetmja mundësi për të vijuar me rezultate pozitive në pjesën e mbetur të kampionatit. Me Vllazninë këto ditë kanë mbërritur për t’u provuar dy volejbollistë nga Mali i Zi. Janë në një moshë të re ndaj edhe ende nuk është vendosur nëse do të bëhen apo jo pjesë e Vllaznisë. Trajneri Kalaja do t’i testojë më parë dhe më pas do të vendos nëse do t’i bashkohen apo jo pjesës tjetër të skuadrës duke qenë se kërkohen lojtar cilësor dhe jo thjesht për numër.