
Vllaznia në volejboll për meshkuj ka mposhtur Tiranën kampione në fuqi. Në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, djemtë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja fituan me rezultatin 3-1, duke treguar se sivjet gjërat do të jenë ndryshe. Ata zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, duke treguar se edhe me ardhjen e kanadezit Dube, nuk do mjaftohen thjesht me një pjesëmarrje në fazën play-off, por do të synojnë shumë më tepër. Vllaznia e nisi mirë ndeshjen dhe fitoi setin e parë me rezultatin 25-21. Tirana reagoi në të dytin, të cilin e fitoi 25-18, duke barazuar në këtë mënyrë numrin e seteve në 1-1.
Megjithatë, shkodranët duken të vendosur për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje dhe në të tretin fitojnë lehtësisht 25-16. Në të katërtin, janë shkodranët ata që tregohen më të saktë dhe udhëheqin duke shkuar të sigurt drejt fitores, duke e mbyllur këtë set 25-23 dhe kështu krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, u shfaq i kënaqur nga kjo fitore, teksa la të kuptohet se në të ardhmen mund të ketë edhe ndonjë përforcim tjetër.
Trajneri i Tiranës në volejboll për meshkuj, Arben Sako, ishte i mërzitur për paraqitjen e skuadrës së tij, por u shpreh se në përballjet e tjera do të shohim në fushë një ekip tjetër.
Edhe presidenti i shoqatës së volejbollit të meshkujve të Vllaznisë, Aleksandër Leqejza, u shpreh se ekipi po ecën hap pas hapi drejt objektivave.Me këtë fitore, Vllaznia në volejboll për meshkuj ka konsoliduar vendin e tretë në renditje, por duket se ambiciet e ekipit shkodran janë për të shkuar edhe më tej, sepse skuadra po rritet çdo ditë e më shumë.


