Ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë po kalon një sezon të vështirë, teksa aktualisht renditet në vendin e gjashtë të kampionatit. Kuqeblutë kanë zhvilluar deri tani nëntë ndeshje, duke regjistruar vetëm tre fitore dhe gjashtë humbje, çka e ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen në merkato. Në fillimin e këtij viti, drejtuesit e klubit kanë nisur lëvizjet për të përforcuar skuadrën. Ditët e fundit, ekipi i drejtuar nga trajneri Dorjan Tafa ka shtuar në organikë dy volejbolliste të huaja. Bëhet fjalë për dy lojtare amerikane, Madilyn Batiste dhe Jada Stackhouse, të cilat luajnë respektivisht në pozicionin katër dhe në atë të diagonalistes. Të dyja volejbollistet kanë mbërritur tashmë në Shkodër dhe kanë debutuar me fanellën kuqeblu në ndeshjen e fundit ndaj Korabit, të zhvilluar në fundjavë. Përforcimet e reja kanë ndikuar pozitivisht në lojën e skuadrës, duke e bërë Vllazninë më të kompletuar në të gjitha repartet. Ndërkohë, mësohet se në ditët në vijim pritet t’i bashkohet ekipit edhe një volejbolliste braziliane. Qëllimi i këtyre afrimeve është sigurimi i fazës “play-off”, por edhe tentativa për t’u futur mes katër ekipeve më të mira të kampionatit. Nëse ky objektiv do të realizohet, mbetet për t’u parë në vazhdimësi të sezonit.

Artikulli paraprakUJERAT E ZEZA SHQETËSIM NË LAGJEN “SKËNDERBEG”
Artikulli tjetërVLLAZNIA ME FORMACIONIN E DYTË MPOSHT BYLISIN NË ÇEREKFINALEN E PARË TË KUPËS