
Tirana ka triumfuar me rezultatin 3-2 ndaj Vllaznisë, në sfidën e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Në fakt, ishte një ndeshje e bukur, e luftuar fort nga të dy skuadrat, por në fund triumfoi Tirana. Bardheblutë e nisën më mirë ndeshjen dhe si rrjedhojë, arritën të fitojnë setin e parë me shifrat 25-18 dhe më pas edhe të dytin 25-15, duke krijuar përshtypjen se do ta mbyllnin shpejt atë. Megjithatë, volejbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, do të ktheheshin në lojën e tyre në setin e tretë. Një set ky që kishte në dorë fatet e ndeshjes, me miqtë që kërkojnë ta mbyllin ndeshjen me fitore 0-3, ndërsa Vllaznia me një fitore të këtij seti për të rihapur ndeshjen. Kuqeblutë fitojnë 25-17, duke ngushtuar rezultatin e seteve në 1-2. Entuziazmi i setit të tretë në kampin kuqeblu vijon edhe në setin e katërt, ku Vllaznia del përsëri fituese, këtë rradhë 25-20, duke barazuar rezultatin e seteve në 2-2.
Kështu, për të fiksuar ekipin fitues të kësaj ndeshje, duhej të luhej seti i pestë final i ndeshjes. Në këtë set kishte rivalitet të madh që u shfaq në fushën e lojës dhe kjo bëri që rezultati të barazohej pikërisht në shifrat 15-15, duke kërkuar pikët shtesë për të fiksuar ekipin fitues. Dy pikët e fundit shtesë i takojnë Tiranës, e cila fiton setin e pestë, 15-17 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm me sete 3-2. Tashmë, dy javë përpara përfundimit të fazës së dytë të kampionatit, Vllaznia ka arritur të grumbullojë vetëm 10-pikë dhe ndodhet e pozicionuar në vendin e gjashtë të renditjes.