Volejbollistet e Vllaznisë kanë zhvilluar një takim me kryetaren e bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Pas dy shkresave radhazi të lojtareve lidhur me rikthimin e trajnerëve Besnik Lisha si trajner i parë dhe Artan Kalaja si ndihmës trajner kryebashkiakja Ademi zhvilloi në takim me volejbollistet. Vajzat shkodrane ashtu si në shkresat që i kanë dërguar zyrtarisht bashkisë Shkodër për rikthimin e dy trajnerëve, një gjë të tillë ia kanë pohuar kryebashkiakes edhe në takim drejtpërdrejtë.

Vajzat e volejbollit i kanë shprehur shqetësimet e tyre për situatën e fundit të ndodhur në skuadër mes trajnerëve dhe faktin se pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë që të jenë pa stërvitje. Skuadra e femrave në volejboll ka kërkuar që kjo situatë të zgjidhet përfundimisht sepse fakti që ata nuk stërviten i dëmton tepër nga ana sportive. Prej kohësh ky ekip nuk ka qetësinë e duhur për shkak të këtyre problemeve ndaj volejbollistet duan që t’i jepet fund kësaj situate aspak normale që është krijuar në këtë ekip.

Nga ana e saj kryetarja e bashkisë Voltana Ademi pasi ka dëgjuar volejbollistet lidhur me shqetësimet e tyre ka marrë përsipër angazhimin për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situatë si një kërkesë e vetë lojtareve të Vllaznisë në volejboll për femra. Në datën 9 qershor volejbollistet i kanë dërguar dy shkresa zyrtare bashkisë Shkodër. Në të parën i kërkojn rikthimin në pozicionin si trajner i parë të Besnik Lishës për ta drejtuar vetëm ai skuadrën si trajner i parë si dhe kërkojnë rikthimin si zëvendës trajner të Artan Kalasë.

Ky i fundit pasi stërviti për 5 muaj ekipin, bashkia nuk pranoi propozimin e “Sport Klub Vllaznia” për ta emëruar si zëvendës trajner, gjë e cila tashmë ka sjellë reagimin e volejbollisteve. Në shkresën e dytë vajzat e volejbollit i kërkojnë bashkisë Shkodër largimin e trajnerit Adrian Mikopula. Tashmë do të pritet se cili do të jetë vendimi i bashkisë Shkodër pas këtyre shkresave dhe takimit të zhvilluar mes volejbollisteve dhe kryebashkiakes Ademi.