Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi duke i kërkuar që të rikthehet në këtë ekip trajneri i parë Besnik Lisha si dhe ndihmës trajneri Artan Kalaja. Në fakt trajneri i parë Lisha qëndroi në karantinë por tashmë ai mund t’i rikthehet seanca stërvitore por ka të drejtë ta stërvisë ekipin me radhë një javë po një javë jo.

Pak ditë më parë bashkia Shkodër vendosi që të mos pranojë kërkesën për emërimin e Artan Kalasë si zëvendëstrajner edhe pse kishte 5 muaj që stërviste këtë skuadër si trajner i dytë. Në këtë mënyrë janë vetë volejbollistet e Vllaznisë të cilat kërkojnë rikthimin plotësisht të trajnerit të parë Besnik Lisha si dhe emërimin si zëvendëstrajner të Artan Kalasë.

Ja se çfarë shkruhet në letrën e plotë të volejbollisteve shkodrane drejtuar kryebashkiakes Ademi në këtë shkresë që mban datën 9 qershor dhe është firmosur nga 10 volejbollistet e ekipit të Vllaznisë:

“E nderuar Znj.Ademi
Ne, ekipi i volejbollit të femrave të rritura Vllaznia, nisur nga problematikat dhe shqetësimet qe janë krijuar, ju shkruajmë këtë letër për t’ju kërkuar që të merrni në konsideratë kërkesën tonë lidhur me vendimet së fundmi. Në këto kushte, duke marrë parasysh situatën e krijuar kohët e fundit, ekipi i volejbollit të femrave të rritura kërkon: Rikthimin në pozicionet e mëparshme të dy trajnerëve të sezonit të dytë të vitit 2019-2020,

konkretisht trajnerit të parë z.Besnik Lisha dhe emërimin e ndihmësit të tij z.Artan Kalaja. Kjo kërkesë ka për qellim mbarëvajtjen e ekipit, në mënyrë që të përmbushen sa më shpejt objektivat në planin 5-vjeçar për ringritjen e volejbollit shkodran të femrave, në rang Kombëtar dhe Ndërkombëtar. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mbetemi në pritje të vendimit tuaj dhe të sugjerimeve lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje!

Me respekt
Ekipi i Volejbollit të Femrave të Rritura Vllaznia!”

Artikulli paraprakSHKODËR, DITA E TË MOSHUARVE: MERITOJMË PËRKUJDESJE
Artikulli tjetërBASHA U PREMTON BIZNESEVE NË NJËSINË NR.1 NË TIRANË: NË PLANIN TONË DO KENI DETYRIM VETËM 0.5 % TË XHIROS VJETORE