“Europa dëshiron të lërë pas pandeminë: lajmi i mirë është se fushata e vaksinimit është bërë e suksesshme”, deklaroi dje presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në Parlamentin Europian.

“Ne absolutisht nuk duhet të heqim dorë, ka akoma ndryshime të konsiderueshme në vendet anëtare, ndërkohë varianti Delta po përhapet dhe shumë doza nuk përdoren dhe mbeten në frigoriferë”, nxiti von der Leyen.

“Ne po shtojmë përpjekjet për të bindur evropianët se vaksinimi do të thotë mbrojtje dhe gjithashtu liri dhe prova janë 250 milionë europianët që kanë shkarkuar tashmë certifikatën e vaksinimit”, shtoi ajo.

Kreu i ekzekutivit të BE-së theksoi se gjashtë muajt e ardhshëm do të kenë të bëjnë me konsolidimin e sukseseve të fundit në frontin COVID dhe se Blloku ka doza të mjaftueshme për të vaksinuar 70% të popullsisë europiane deri në korrik.