Është shoqëruar me debate seanca plenare, teksa si pikë diskutimi është vota e qeverisë në OKB për Jeruzalemin. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është përplasur me kreun e PD, Lulzim Basha, një debat që ka përfunduar në fyerje. Ka qenë Basha që e ka quajtur të paaftë ministrin Bushati, duke i kërkuar të mos këpusë broçkulla në foltoren e Kuvendit.

Basha-Bushatit: Dëgjo këtu ti i paaftë, mos këput broçkulla! Mbani mend këtë fjalë, rrallë herë do keni shansin të shini një mashtrues të pacipë dhe të paaftë nën petkun e ministrit të Jashtëm. Mashtruesi sot vuri fjalët në gojën time, se çfarë i kam thënë Mogherinit. Ju o zullumqarë vutë në gojën e Mogherinit se do hapeshin negociatat me Vettingun. Ja ku jemi sot dhe fjalët e mia kanë dalë. Katër vjet është zhytur Shqipëria keq e më keq. Me kë matet ky? Ky bredh në botë me paratë e shqiptarëve të shajë opozitën. Dëgjo këtu ti i paaftë, mos këput broçkulla këtu, mos këput mufka, torollakërilla.

Bushati-opozitës: Turp t’iu vijë! Me çfarë syzesh e shikoni Shqipërinë ju?Ne nuk ja lejojmë vetes të jemi diletantë. Ju thoni se ne po prishemi me SHBA, po Franca, Gjermani, Britani e një sërë shtetesh? Ju thoni se jemi ndikuar nga Turqia? Po i keni numëruar ndonjëherë rastet kur Shqipëria ka votuar pro Turqisë? Po si nuk thatë një fjalë kur ne shtojmë kontributet me SHBA? Kur nuk i ka bërë koment Saliu asaj strategjie, që është i vetmi që ka kuptuar çfarë po ndodh me detin, dhe që leximi i Shekspirit po i ngjallet e ringjallet çdo ditë, asnjë tjetër s’e ka lexuar.

Juve po ju vjen turp dhe nga qëndrimet që keni mbajtur në qeveri, ju doni të ndryshoni dhe qeverinë. Jeni e para opozitë në botë, në rruzullin tokësorë, gënjeshtarë të pashembullt. Ju po i bëni një shërbim shumë të keq jo thjesht opozitës, por vendit, imazhit të vendit duke stisur tema debati që nuk janë të tilla. Në OKB përfaqësohet Shqipëria dhe shqiptarët, jo Edi Rama. Kur pashë firmat e ish-ministrave të Jashtëm thashë ‘ose këta njerëz nuk e dinë çfarë kanë firmosur, ose nuk e njohin turpin’.