
Mbrëmja artistike në Shkodër u shënua nga koncerti “Voyage, nga Shkodra në Paris”, ku sopranoja e njohur Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi sollën një repertor të përzgjedhur që bashkonte elegancën franceze me tingullin karakteristik të këngës shkodrane. Skena u pasurua nga Orkestra Simfonike e Shkodrës, e drejtuar nga maestro Elda Laro, ndërsa prania e korit “Prenkë Jakova” i dha performancës një dimension edhe më të plotë muzikor.
Pas koncertit, sopranoja Inva Mula foli për lidhjen e saj të veçantë dhe të qëndrueshme me Shkodrën. Pianisti Genc Tukiçi ndau emocionet e rikthimit në qytetin ku ka rrënjët e tij. Dirigjentja Elda Laro vuri në dukje profesionalizmin e artistëve dhe bashkëpunimin harmonik me Orkestrën Simfonike të Shkodrës.
Koncerti “Voyage” u konsiderua si një prej ngjarjeve më të veçanta të këtij sezoni artistik në Shkodër, duke i dhuruar publikut një përjetim të ngrohtë e plot emocione.


