
Kriza demografike po shndërrohet në një nga rreziqet më të mëdha afatgjata për Ballkanin Perëndimor. Rajoni jo vetëm po humbet popullsi, por kryesisht të rinj, të arsimuar dhe persona në moshë pune, pikërisht grupet mbi të cilat mbështeten rritja ekonomike, tregu i punës dhe financimi i pensioneve.
Analiza “Vrasësi i heshtur i Ballkanit Perëndimor: Rënia demografike dhe humbja e kapitalit njerëzor”, e publikuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA), argumenton se kjo situatë është krijuar nga dobësia e institucioneve, korrupsioni, mungesa e besimit publik dhe perspektivat e kufizuara ekonomike e profesionale.
Rënia e lindjeve, plakja dhe emigracioni po veprojnë njëkohësisht. Më pak të rinj nënkupton më pak prindër në të ardhmen, ndërsa largimi i popullsisë në moshë pune zvogëlon më tej lindjet, fuqinë punëtore dhe numrin e kontribuuesve në sistemet sociale.
Në Shqipëri, rënia natyrore dhe emigracioni po përforcojnë njëra-tjetrën. Sipas të dhënave të cituara në raport, popullsia e vendit arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, duke u tkurrur me 1.2% krahasuar me vitin e mëparshëm. Shqipëria renditet ndër vendet me diasporën më të madhe në raport me popullsinë. Përmasat e emigracionit po reduktojnë njëkohësisht fuqinë punëtore aktuale dhe kapacitetin për ripërtëritjen e popullsisë në të ardhmen.
Diferencat në të ardhura dhe standarde jetese mbeten shtysa të rëndësishme të emigracionit, por nuk janë arsyet e vetme. Sipas analizës, të rinjtë largohen edhe për shkak të korrupsionit, nepotizmit, dobësisë së shtetit ligjor dhe mungesës së besimit tek institucionet publike. Pasiguria për zhvillimin profesional dhe bindja se lidhjet personale kanë më shumë peshë se aftësitë i shtyjnë shumë të rinj të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit. Mosbesimi shtrihet edhe te sistemet publike të arsimit dhe shëndetësisë. Kur qytetarët paguajnë taksa, por detyrohen t’u drejtohen shërbimeve private, pakënaqësia dhe mungesa e besimit tek shteti thellohen./ Monitor


