Problemet me zemrën janë shndërruar në një problem për shëndetin në Shqipëri, por edhe një kosto gjithnjë e në rritje për shoqërinë dhe ekonominë. Mbi gjysma e vdekjeve në vendin tonë vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje që u regjistruan gjithsej, 11,694 ishin për shkak të sistemit të qarkullimit të gjakut, duke përbërë 53% të vdekjeve totale.

Krahasuar me Europën, diferenca është e lartë, pasi grupi i sëmundjeve që lidhet me zemrën dhe qarkullimin e gjakut shkakton rreth 30% të vdekjeve.
Shkaku kryesor i dominimit të vdekjeve kardiake lidhet drejtpërdrejt me stilin e jetesës dhe mungesën e një kulture të qëndrueshme parandalimi, ku kontrollet periodike mjekësore ende nuk konsiderohen si domosdoshmëri rutinë për qytetarin e thjeshtë, thotë kardiologia Erviola Lleshi.

Studimet e fundit të ekspertëve të Shëndetit Publik (Amarilda Hysenshahaj, Bajram Dedja, Alban Ylli, Alba Merdani, Dorina Toçi) tregojnë se vdekjet e larta nga problemet kardiovaskulare ndodhin nga mosmarrja në kohë e diagnozës. Problemet e zemrës zbulohen në faza shumë të avancuara ose vetëm kur pacienti pëson një goditje akute, duke e bërë trajtimin më të vështirë dhe shpeshherë të pamundur.

Ekspertët Hysenshahaj, Dedja, Ylli, Merdani dhe Toçi vërejnë se, përveç mungesës së check-up-eve sistematike, faktorët e rrezikut si duhanpirja masive, nivelet e larta të stresit socio-ekonomik dhe një dietë tradicionale që anon drejt yndyrave dhe kripës së tepërt, po shkatërrojnë gradualisht shëndetin vaskular të popullatës. Ata evidentuan se situata rëndohet edhe më shumë nga plakja e popullsisë, e cila natyrshëm rrit numrin e personave të rrezikuar nga komplikacionet kardiake, por ajo që mbetet shqetësuese është ulja e moshës mesatare të personave që pësojnë infarkte.

Edhe brenda Shqipërisë ka diferenca të mëdha në përhapjen e sëmundjeve cerebrovaskulare. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, qarqet e Veriut rezultojnë më të prekura. Nga 12 qarqet e vendit kryeson Kukësi, ku 62.48% e vdekjeve totale në vitin 2024 ishin nga aparati i qarkullimit të gjakut, e ndjekur nga Shkodra me 60.73%, Lezha 58.2%, Dibra me 58%, të cilat kanë nivele shumë më të larta të vdekshmërisë cerebrovaskulare krahasuar me Jugun, veçanërisht Gjirokastrën (31.34%). Qarku i Beratit dhe i Tiranës ka vdekshmëri më të lartë se mesatarja kombëtare me 57.6% secili. Edhe Qarku i Fierit mbetet mbi mesataren, duke regjistruar një normë prej 55.35% të vdekjeve cerebrovaskulare në raportin me totalin e vdekjeve.

Të dhënat mbi vdekshmërinë nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut kanë ardhur në rritje nga 10,984 në vitin 2014 në 11,694 raste në vitin 2024. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, që grumbullon të dhëna për shëndetin, kanë gjetur një trend rritës në skajet e piramidës moshore, ku peshën kryesore të mortalitetit e mban popullsia mbi 80 vjeç.

Kjo kategori ka pësuar rritjen më të madhe ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, duke u zgjeruar me mbi 600 raste ose 13.2% dhe duke u konfirmuar si grupi më i rrezikuar, i cili përbën pothuajse gjysmën e totalit të vdekjeve të regjistruara si cerebrovaskulare. Përqendrimi i lartë i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare në moshat mbi 80 vjeç tregon gjithashtu rritje të jetëgjatësisë krahasuar me dekadat e kaluara, duke e zhvendosur barrën kryesore të sistemit shëndetësor drejt kujdesit paliativ dhe gjeriatrik.

Çfarë i mungon Shqipërisë

Ndonëse ka pasur përmirësime në infrastrukturën spitalore, vendi ende vuan nga mungesa e një rrjeti të gjerë të kardiologjisë invazive që mbulon në mënyrë të barabartë të gjithë territorin, duke bërë që koha e artë prej 4.5 orësh për trajtimin e infarkteve të humbet shpesh për shkak të distancave dhe logjistikës së transportit urgjent, pohojnë ekspertët e shëndetësisë.
Kjo shoqërohet edhe me një fragmentim të mjekësisë familjare, ku check-up-et dhe monitorimi i vazhdueshëm i tensionit apo kolesterolit nuk arrijnë ende të jenë në masën që do të frenonin rastet fatale përpara se ato të bëhen urgjenca.

Mungesa e personelit mjekësor të specializuar është një nga pikat më kritike që pengon arritjen e standardeve europiane në trajtimin e këtyre sëmundjeve në Shqipëri. Shpërndarja e tyre është jashtëzakonisht e pabarabartë, me një përqendrim të lartë në Tiranë dhe mungesë të theksuar në rrethe.
Kjo krijon një situatë ku shumë pacientë në zonat rurale apo qytetet e vogla nuk kanë akses të menjëhershëm te kardiologu, duke rritur rrezikun që simptomat fillestare të neglizhohen ose të trajtohen me vonesë.
Përveç shpërndarjes gjeografike, sistemi përballet me rrjedhjen e trurit, ku mjekë të kualifikuar dhe infermierë të specializuar emigrojnë drejt vendeve të zhvilluara, si Gjermania apo Italia. Kjo mungesë nuk ndihet vetëm te numri i kardiologëve, por edhe te personeli mbështetës që duhet të menaxhojë teknologjinë e lartë dhe kujdesin post-operator.

Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në Shqipëri ka gjithsej 267 mjekë kardiologë. Përveçse ata janë të pakët në raport me nevojat, janë të përqendruar në Tiranë dhe në qendrën e vendit, teksa bashki të vogla si Tropoja dhe të tjera nuk kanë mjekë të tillë. Në bashki me terrene të thyera ku mungon mjeku kardiolog, mundësia për të përballuar urgjencat është e pamundur.

Nëse marrim shifrën prej 267 kardiologësh për rreth 2.4 milionë banorë, Shqipëria llogarit afërsisht 111 kardiologë për 1 milion banorë. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në një nivel të ngjashëm me mesataren e vendeve me të ardhura të mesme, e cila sipas Atlasit të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (ESC) për vitin 2024-2025 është rreth 93.4 kardiologë për 1 milion banorë, por e lë shumë pas vendeve me të ardhura të larta. Greqia mban rekordin europian me rreth 316 kardiologë për 1 milion banorë, e ndjekur nga Italia me 266 dhe Bullgaria, me rreth 215.

Madje edhe vende si Hungaria, me 138 kardiologë për 1 milion banorë, qëndrojnë dukshëm më lart se Shqipëria. Në rajon, Serbia llogarit rreth 98 kardiologë, ndërsa Mali i Zi rreth 84, çka tregon se Shqipëria, ndonëse ka një numër total që mund të duket i krahasueshëm me disa vende, përballet me një sfidë shumë më të madhe për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, që është ndër më të lartat në Evropë.
Por gjithsesi, mjekët thonë se ndërgjegjësimi i popullatës për ndryshimin e stilit të jetës dhe moskonsumimit të kripës është një mjet shumë i fuqishëm për të parandaluar./Monitor.al

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakZJARRET NË KANADA MBULOJNË SHBA-NË ME TYM, MBI 100 MILIONË NJERËZ PËRBALLEN ME AJËR TË RREZIKSHËM
Artikulli tjetërNË KËRKIM NDËRKOMBËTAR PËR TRAFIK DROGE, 39-VJEÇARI ARRESTOHET NË MALËSI TË MADHE