Një 16 vjeçar nga fshati Sanxhak i Kurbinit humbi jetën natën e ndërrimit të viteve pasi kishte hipur në tarracë për të shpërthyer fishekzjarre. Adoleshenti u gjet me një plagë të thellë në kokë dhe policia dyshonte se mund të jetë goditur nga një plumb qorr ose fishekzjarre.

Sot policia njofton se janë arrestuar tre të rinj, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim “Më datë 01.01.2018 në orën 00:30, këta tre shtetas dyshohet se duke lëvizur me automjetin tip Benz kanë qëlluar me armë zjarri” informoi sot policia e Lezhës.

Të arrestuar janë

Alban Lika, 25vjeç, banues në Kurbin.

•Ernis Lika, 20vjeç, banues në Kurbin.

•Arber Lika,18vjeç, banues në Kurbin.

Automjetit të cilit i kishin hequr targat kur kanë qëlluar me armë zjarri drejtohej nga Alban Lika “Në cilesinë e provës materiale u sekuestrua automjeti së bashku me targat të cilat ishin në bagazh, 19 gëzhoja dhe një fishek model 56, kalibri 7.62. mm. ” Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e Gj.S., 23 vjeç, banues në Kurbin. Shtetasi i lartpërmendur u shpall në kërkim nga Policia, pasi më datë 01.01.2018, rreth orës 00.25, duke drejtuar automjetin e tij tip Benz, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Laçit dhe më pas ka braktisur mjetin në një lavazh, dhe është larguar. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 fishekë luftarakë dhe një gëzhojë model 56 kalibri 7.62 mm.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për veprime të mëtejshme për veprat penale “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit “ dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 278 dhe 274 të Kodit Penal. Zyrtarisht policia nuk bën lidhje mes të arrestuarve dhe vrasjes së 16 vjeçarit pasi do të jetë autopsia dhe më pas analizat që do të verifikojnë shkakun e vdekjes. Nese vdekja e 16 vjeçarit ka ardhur nga një plumb qorr, do të bëhet ekspertiza e armëve që janë sekuestruar për të parë nëse plumbi ka dalë nga këto armë.