Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka kërkuar qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mënyrë që i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares që gjendet ende në arrati të dërgohet përpara drejtësisë.

Me një postim në Facebook, Osmani shkruan se drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.

Presidentja shkroi se dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme,. Ajo tha se shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Reagimi i plotë i presidentes:

Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.

Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NJOFTON BLERJEN E NJË TJETËR BRAZILIANI. JA KUSH ËSHTË 24 VJEÇARI…
Artikulli tjetërINVESTIGIMI I “ALERT” PËR AKULLORET, REAGON PD: KORRUPSIONI MASIV NË VEPRIMTARINË E AKU-SË KA SJELLË PASOJA TË RËNDA PËR SHËNDETIN E QYTETARËVE