Ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, ku 25 vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv i policisë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e ka cilësuar si një ndodhi që ka prekur jo vetëm familjen por edhe Policinë e Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj ka shprehur ngushëllimet më të thella për këtë humbje tragjike, duke u shprehur se të gjithë tanimë kanë nevojë për qartësimin sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave.

“E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH

Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.

Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.

Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.

Artikulli paraprakFMN: NEVOJAT VJETORE PËR FINANCIME TË SHQIPËRISË KËRKOJNË EDHE NJË BUXHET TJETËR
Artikulli tjetërADEMI: AKPT MBAN TË BLLOKUARA PROCESIN E NDËRTIMEVE