Gjykata e Tiranës ka vendosur të lerë në burg Viktor Markun nga Shkodra, i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa, ngjarje e ndodhur më 11 qershor të këtij viti në kryeqytet. Vendimi u dha nga trupi gjykues, i cili pas shqyrtimit të provave vendosi të lerë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.

Viktor Marku u arrestua në Mal të Zi, dhe sipas sistemit TIMS rezulton të ketë qenë jashtë vendit në kohën kur është kryer vrasja, por dëshmia e një biznesmeni nga Shkodra futi në dyshim trupën gjykuese, i cili tha se gjatë këtyre muajve Viktor Marku ka qënë në Shkodër pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë ‘smart’. Po sipas dëshmisë makinën Marku ia ka lënë nipit të tij, Sebastjan Mali, gjithashtu i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje. Në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës.

Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina smart marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë. Për vrasjen e Hekuran Billës janë arrestuar dy persona, dajë e nip, përkatësisht Viktor Marku dhe Sebastiano Mali.

I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006. Hekuran Billa ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Angli, pasi në tetor të 2006, në një lokal, ai qëlloi me breshëri në drejtim të një grupi personash, duke lënë të vrarë bashkëkombasin e tij, Prel Marku si dhe të plagosur Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.

Në vitin 2013, Viktor Marku u ekstradua drejt Shqipërisë dhe nisi përballjen me drejtësinë e vendit tonë. Gjykata e Tiranës vendosi ta njohë vendimin penal të huaj dhe dënoi përjetësisht Billën. Por, favorizimi i tij u bë nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi ta prishë vendimin e shkallës së parë dhe dënoi Billën, me vetëm 25 vite burgim. Me vendimin nuk ishte e kënaqur prokuroria, e cila bëri rekurs, por për shkak se Gjykata e Lartë hyri në kolaps, ajo dosje mbeti. Nga ky moment, Hekuran Billa, nga Kukësi ndërtoi një strategji dhe ia doli të rifitojë lirinë me disa ulje dënimi radhazi derisa mbeti i vrarë mbrëmjen e 11 qershorit.