Shtetasi Viktor Marku nga Shkodra ka mohuar se ka lidhje me vrasjen e Hekuran Billës. Viktor Marku doli para gjykatës së Tiranës i dyshuar si autor i vrasjes së 40-vjeçarit por seanca ndaj tij u shty për nesër sepse gjykata kërkon materiale shtesë. Në dëshminë e tij Viktor Marku ka mohuar të jetë i përfshirë në krim duke thënë se “policia të thotë çfarë të dojë, unë s’kam vrarë njeri.

Ditën e vrasjes dhe deri kur më arrestuan kam qenë në Mal të Zi. Të gjejnë autoret”, mësohet të ketë deklaruar i dyshuari. Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, ky i fundit është vrarë në Angli në vitin 2006 nga Hekuran Billa. 40 vjeçari mbeti i vrarë mbrëmjen e 11 qershorit në Tiranë, vrasje për të cilën dyshohet si autor shkodrani Viktor Marku. Nga sa mësohet autori i dyshuar ka qenë i qetë në prezantimin e tij përpara trupës gjykuese ndërsa ka kërkuar nga kamerat e pranishme në sallë që të mos filmohet.

Viktor Marku, u arrestua në Mal të Zi, i cili kishte hyrë ilegalisht dhe tentoi që të largohet që andej me identitet tjetër, por u prangos në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për Viktor Markun, u shty derisa në dosje të futet edhe praktika e ndalimit nga policia malazeze.

Një ditë më parë për nipin e Viktorit, Sebastian Mali u caktua masa arrest ne burg si bashkëpunëtor me dajën e tij në ketë vrasje. Mali përpara grupit hetimor u shpreh pas arrestimit se ka qenë duke kaluar në zonë për qejf dhe se nuk është përfshirë në atentatin ndaj 40-vjeçarit.

“Isha në zonën afër vendit të ngjarjes sepse shkoja shpesh për të bërë pazar në qendër dhe shikoja një vajzë që dhe ajo vinte shpesh aty” mësohet se ka thënë ai. Sipas sistemit TIMS, Marku rezulton të ketë dalë nga Shqipëria nga pika e Muriqanit për në drejtim të Malit të Zi, në 19 janar 2020, por një dëshmitar thotë se Viktor Marku gjatë ketyre muajve ka qënë në Shkodër pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë ‘smart’.

Po sipas dëshmisë makinën Marku ia ka lënë nipit të tij, Sebastjan Mali, gjithashtu i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje. Sakaq në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës.

Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina smart marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë. Ditën e nesërme do të vijojë seanca që u shty sot.