Mëngjesin e së dielës, Policia e Lezhës ka dhënë informacione të tjera në lidhje me vrasjen e orëve të mbrëmjes së të shtunës në aksin Lezhë-Shkodër, ku mbeti i vrarë një ish-punonjës i Policisë Rrugore. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 20:30, në segmentin e sipërcituar, në vendin e quajtur “Mabe”, teksa shtetasi Dritan Lorenci po kthehej me automjetin e tij nga Shkodra në drejtim të Lezhës.

Viktima është qëlluar për vdekje me armë zjarri të dyshuar si armë gjahu, nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë shtënë mbi automjetin tip “Lancia”, me targa AA 479 KJ, me të cilin po udhëtonte Lorenci. 45-vjeçari Dritan Lorenci njihet si ish-punonjës i Policisë Rrugore të Komisariatit të Lezhës, teksa gjatë komunikatës së sotme, Policia bën të ditur edhe dyshimet e para në lidhje me shkakun e vrasjes së tij. “Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si rezultat i përfshirjes së viktimës në ngjarjen e datës 14 tetor 2011, e ndodhur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Lezhës, ku pas një konflikti për motive pronës ka gjetur vdekjen një shtetas, si dhe janë plagosur 5 të tjerë”, njofton policia, që shton se po hetohet edhe në drejtime të tjera. Për të bërë të mundur zbulimin dhe dokumentimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, policia ka ngritur disa pika kontrolli si dhe ka shoqëruar 15 persona, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Lezhës.

Artikulli paraprakPOLICIA NË KËRKIM TË AUTORIT TË VRASJES SË DY VËLLEZËRVE
Artikulli tjetër2016-ta NIS ME PUNË PËR PD, PËRGATITJE PËR PROTESTA