Vetëm 1 ditë pas arrestimit të Mikel Shallarit si autor i vrasjes së komisar Artan Cukut mbrëmjen e 8 prillit në kryeqytet, burime nga Policia e Tiranës thanë për mediat se janë mbledhur të tjera prova në lidhje me ngjarjen si dhe janë shpallur në kërkim vëllezërit nga Tropoja, por me banim në Shkodër, Bujar e Florin Daka.

Sipas burimeve nga policia ata janë të dyshuar si porositës për ekzekutimin e komisar Cukut. Por të kundërtën tregojnë anëtarët e familjes Daka në lagjen “3 heronjtë” të Shkodrës. Kryefamiljari Prelë Daka, babai i dy vëllezërve të dyshuar hedh poshtë çdo pretendim të policisë duke thënë se çështjen me familjen Cuku e klanë mbyllur prej vitesh. Prelë Daka hedh poshtë publikimet e bëra në media se djemtë e tij janë shpallur në kërkim. Bujar Daka nuk është ndaluar ditët e fundit nga policia, ndërsa po punonte së bashku me familjarët në oborrin e banesës.

Kryefamiljari Daka i bën thirrje policisë që të zbardhë vrasjen e komisaar Artan Cukut duke ripërsëritur pretendimin se djemtë e tij nuk janë të përfshirë në këtë ngjarje. Dy vëllezërit Florin dhe Bujar Daka nuk janë ndaluar nga policia, ndërsa ky i fundit hedh poshtë çdo pretendim se mund të jetë shpallur në kërkim. Duke mos dashur të flasë për mediat ai deklaron se nuk ka asnjë njohje me Mikel Shallarin, i arrestuar si ekzekutor i komisar Artan Cukut. Bujar Daka u tha gazetarëve se ekzekutorin e ka parë vetëm në media, ndërsa shton se nuk është ndaluar nga policia asnjë nga familjarët.

Bujar Daka pranon se ka qenë i ndaluar nga policia në shtetin zviceran, por mohon kategorikisht të ketë njohje me ekzekutorin. Fillimisht pas vrasjes së komisar Artan Cukut, vëllezërit Daka ishin të dyshuarit kryesor për ngjarjen e rëndë. Fillimisht ato u shoqëruan gjatë muajit prill në komisariat, por u lanë të lirë për mungesë provash.

Pista e hetimeve për dy vëllezërit Daka lidhet me një ngjarje të vitit 2005, kur Artan Cuku ka qenë shef i komisariatit nr. 4 në Tiranë. Në atë kohë vëllai i Bujar dhe Florin Dakës, Agim Daka u vetëvra në zyrën e komisarit. Për këtë ngjarje, familja Daka ka deklaruar edhe më parë se kanë mbyllur çdo konflikt me familjen e komisarit.