Për familjen Arra arrestimi i Marash Arrës i dyshuar nga policia fillimisht si autor i vrasjes së kushëririt të tij Lazër Arra në fshatin Palaj të Dukagjinit në Shkodër është si një vrasje e dytë.

Vëllai i viktimës por edhe djali i tij mohojnë se kushëriri i tyre Marash Arra të jetë autor i kësaj vrasje. Vëllain i viktimës dhe djalin e tij e gjejmë në një shtëpi bashkë me babain e autorit të dyshuar nga policia ndërsa kërkojnë lirimin e Marash Arrës duke qenë se sipas tyre s’ka asnjë lidhje me vrasjen.

Policia e dyshonte për “vrasje me paramendim” por kjo vepër penale është hedhur poshtë nga prokuroria në seancën për masën e sigurisë e cila dyshon për Marash Arrën vetëm për veprën penale “moskallëzim krimi”.

Vëllai i viktimës Fran Arra tregon se si ditën e ngjarjes Lazër Arra që u qëllua me dy plumba dhe kushëriri i tij janë nisur sëbashku për të dërguar prodhimet e dimrit nga Dukagjini në Shkodër. Arrestimi i Marash Arrës sipas vëllait të viktimës është një njollë e zezë që po i mbet familjes së tyre në një kohë kur kushëriri nuk ka asnjë lidhje me këtë vrasje.

Edhe djali i viktimës, Marjan Arra i cili nuk ndodhej në Shqipëri kur ndodhi vrasja i ka bërë edhe një letër prokurorisë së Shkodrës duke i treguar se kushëriri i tij Marash Arra nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e babait të tij duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të kushëririt.

 

Babai i të arrestuarit, Ndok Arra tregon se një natë para vrasjes viktima dhe kushëriri i tij i arrestuar kanë qenë sëbashku në Dukagjin duke ngrënë ndërsa rrëfen edhe marrëdhëniet shumë të mira mes tyre.

Të pyetur se a ka lidhje kjo vrasje me parcelat e drogës të asgjesuara nga policia në Dukagjin, familjarët e viktimës e mohojnë një gjë të tillë.
Familjarët kërkojnë që policia ta zbardh vrasjen e Lazër Arrës dhe të gjejë autorin e vërtetë si dhe të lirohet sa më parë Marash Arra.

Lazër Arra u vra me 21 tetor rreth orës 10:00 në fshatin Palaj të Dukagjinit teksa po sillte prodhimet e dimrit drejt Shkodrës. Policia dyshoi fillimisht për veprën penale “vrasje me paramendim” por prokuroria e ka hedhur poshtë duke e hetuar vetëm për veprën penale “moskallëzim krimi”.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë për Marash Arrën deri sa të mbërrijnë aktet e ekspertimit për rrobat e tij.