Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka liruar nga paraburgimi shtetasin Marash Arra i dyshuar për “moskallëzim krimi” në vrasjen e ndodhur ndaj kushëririt të tij Lazër Arra në Shosh të Dukagjinit. Shkalla e parë lehtësoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për shtetasin Marash Arra pas një séance gjyqësore të zhvilluara.

Sipas burimeve pranë prokurorisë së Shkodrës kanë mbërritur nga Tirana aktet e ekspertimit për provat materiale shtesë lidhur me rrobat apo gjurmë të tjera por ka rezultuar i pastër dhe nuk është i përfshirë në ndonjë gjurmë në asnjë prej këtyre akteve. Vetë prokuroria e Shkodrës kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndryshe nga seancat e tjera kur ka kërkuar “arrest me burg” ndërsa pala mbrojtëse përmes avokatit Agim Martini kërkoi masë më lehtësuese, “detyrim paraqitje”.

Në fund gjykata vendosi “arrest shtëpie” për Marash Arrën duke e liruar këtë të fundit nga paraburgimi. Fillimisht policia e arrestoi Marash Arrën duke e akuzuar si autor të vrasjes së kushëririt të tij Lazër Arra. Kjo akuzë u rrëzua nga prokuroria e Shkodrës e cila ngriti vetëm akuzën “për moskallëzim krimi” dhe jo atë të vrasjes.

Që në momentin e parë Marash Arra qoftë në policinë vendore të Shkodrës por edhe në sallën e gjyqit ka mohuar si ai ka lidhje me vrasjen e kushëririt duke thënë se jo vetëm se nuk është autori por nuk ka dijeni as se kush ka qëlluar ndaj kushëririt të tij. Pak ditë pasi gjykata vendosi fillimisht “arrest me burg” familja Arra në një intervistë për Star Plus, qoftë vetë djali i viktimës por edhe vëllai dhe babai i autorit të mbledhur sëbashku kërkuan

lirimin e shtetasit Marash Arra duke thënë se ai nuk është autori i vrasjes dhe se gjithashtu nuk ka asnjë dijeni për vrasjen e ndodhur. Familjarët i bënë apel policisë që të gjejnë autorët e vërtetë të vrasjes dhe i kërkuan prokurorisë dhe gjykatës që të lirohet sa më parë sepse nuk ka lidhje me atë ngjarje të ndodhur.

Viktima Lazër Arra dhe kushëriri i tij Marash Arra janë nisur sëbashku nga fshati Palaj në Shosh për të sjellë prodhimet e dimrit në Shkodër. Lazër Arra është ndalur për të pushuar dhe kushëriri ka vijuar rrugën dhe kur është kthyer e ka gjetur në rrugë të vrarë. Ende janë të paqarta motivet e kësaj vrasjeje pavarësisht dyshimeve që ka policia.