“E dini shumë mirë kush janë vrasësit e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dhe unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje.” Kështu është shprehur para togave të zeza portugezi Ruben Saraiva, për të cilin Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm.Në seancën gjyqësore të kësaj të marte, e cila zgjati më shumë se 3 orë, pala mbrojtëse dha konkluzionet përfundimtare në lidhje me këtë çështje, duke kërkuar pafajësi për portugezin. Sipas avokatit Kujtim Cakrani, nuk ka asnjë provë që e implikon atë në vrasjen e biznesmenit Nikulaj.
Gjatë seancës gjyqësore, portugezi Ruben Saraiva ka denoncuar para togave të zeza edhe diskriminimin që, sipas tij, po i bëhet në ambientet e paraburgimit, duke u mbajtur i izoluar dhe në pozita të pabarabarta.
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për portugezin Ruben Saraiva për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.Pas konkluzioneve të paraqitura nga pala mbrojtëse, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica do të japë vendimin më 25 mars.Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri brenda lokalit të tij në muajin prill të vitit 2023 në Shëngjin, ndërsa të dyshuar për këtë ngjarje janë edhe katër britanikë dhe shqiptari Edmond Haxhia, të cilët ende nuk janë ekstraduar në Shqipëri.

Artikulli paraprakNGA 12 MARSI SEGMENTI PARRUCË–XHABIJE HAPET NË DY SENSE
Artikulli tjetërLEZHA ZGJIDH PROBLEMIN E VARREZAVE