
Gjykata e Apelit e cila po shqyrton dosjen penale ndaj Redion Hysës dhe Nikollë Sherrnikut lidhur me vrasjen e policit Xhulio Prela në vitin 2020 në Gajush të Lezhës, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme dhe kërkon prej saj informacion nëse në aplikacionin e koduar Sky ECC ka biseda apo të dhëna që lidhen me krimin e rëndë. Redion Hysa është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës, lidhur me akuzën e vrasjes se punonjësit të policisë, në një kohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burgim, ndërsa Sherrniku, akuzohet për krijim të kushteve për te kryer vrasje lidhur me këtë ngjarje.
Për vrasjen e Xhulio Prelës, fillmisht u akuzua Brilant Martinaj, por pas verifikimeve prokuroria e pushoi akuzën për të dhe arrestoi Hysën, pasi në depozitën e ujit mbi shtëpinë e tij u gjet pistoleta me të cilën ështe kryer krimi, edhe pse në të nuk u gjetën gjurmë të gishtërinjve të të arrestuarit. Gjatë shqyrtimit të dosjes në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm janë marrë dëshmitë e zyrtarëve të policisë që hetuan çështjen, në një kohë që gjykata ka vendosur t’i kërkojë SPAK bisedat e mundshme në Sky ECC në kohën kur ngjarja ka ndodhur, për të parë nëse ka përsona të përfshire në këtë ngjarje. Xhulio Prela u vra teksa kthehej nga Shkodra drejt Tiranës, pasi kishte shoqëruar një të afërmin e tij.